Shoqëria civile e Kosovës kundër paketës ‘anti-shpifje’ të Edi Ramës

Një grup i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë i është bashkuar mediave, organizatave dhe shoqërisë civile në Shqipëri si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat po kërkojnë nga qeveria shqiptare e Edi Ramës, të tërheqin paketën “anti-shpifje” ndaj mediave në Shqipëri.

“Duke ndjekur me shqetësim ngjarjet në Shqipëri, largimet e personaliteteve gazetareske për shkak të censurimit të fjalës së lirë. Ne, organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, Me shqetësimin për rrezikun që i kanoset lirisë së shprehjes në Republikën e Shqipërisë, vërejmë sa më poshtë: Qeveria e Shqipërisë ka propozuar krijimin e një regjimi të kontrollit administrativ të medias online me supozimin se dëshiron të “disiplinojë” median online”, është bërë e ditur përmes një reagimi të këtyre organizatave.

Në reagim thuhet se ky është një kuadër regullator i papreçedent për botën demokratike dhe lirinë e shprehjes dhe sipas tyre, asnjë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian nuk ka sistem të tillë.

“Sipas organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, këto projektligje nuk duhet të miratohen, sepse cënojnë liritë themelore të njeriut duke vendosur presion të papërshtatshëm mbi mediat përmes dhunës financiare disproporcionale të imponuar në rrugë jashtëgjyqësore.  Sipas një deklarate të organizatave të medias, këto projektligje mund të kthehen në një gur themeli për një regjim jodemokratik”, është thënë tutje në reagimin e shoqërisë civile të Kosovës.

Organizatat të cilat e kanë kundërshtuar paketën “anti-shpifje” janë : Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm – KOSID, BIRN Kosova, Developing Together, ERA, Lets Do It Peja, Balkan Sunfloëers Kosova, GAIA Kosovo, Community Development Fund (CDF), ÇOHU, Syri i Vizionit, YMCA, CEL Kosova, Kosovar Stability Initiative, Shoqata e Intelektualëve Boshnjakë të Kosovës VKBIK, GLPS, Rrjeti i Grave të Kosovës, Lëvizja FOL, Balkans Policy Research Group, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile KCSF, Instituti Riinvest, INPO, YIHR KS.

Thirrjes për tërheqjen e këtyre dy projektligjeve, i janë bashkuar edhe Federata Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Desir, i cili paralajmëroi se “gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirect”, si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Gazetarët e Kosovës kundër paketës ‘anti-shpifje’ të Edi Ramës