Shoqatat e personave me nevoja të veçanta ankohen për mospërfillje gjatë pandemisë

Përfaqësuesit e organizatave të personave me nevoja të  veçanta “Handikos” dhe  të Shoqatës së të Verbërve, gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se po kanë problem me mungesën e qasjes, si dhe me vështirësitë të cilat po i shoqërojnë ata gjatë kohës së pandemisë.

“Mbështetur në të gjeturat e raportit ‘Standardet ndërkombëtare mbi çështjet e aftësisë së kufizuar: Ku qëndron Kosova?’, korniza ligjore aktuale për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë është vetëm 30% në përputhje me acquis communautaire”, tha  Afrim Maliqi, drejtor i “Handikos”-it.

Sipas tyre, shqetësues është sidomos fakti që politikat për menaxhimin e pandemisë i kanë shpërfillur pothuajse tërësisht nevojat e personave me nevoja të veçanta.

Sipas  Osmanit, është i domosdoshëm plotësimi i kornizës ligjore dhe se ky do të ishte vetëm hapi i parë drejt plotësimit të nevojave të këtij komuniteti, i cili duhet të pasohet me zbatim të plotë të legjislacionit dhe krijim të kushteve dhe infrastrukturës së duhur për realizimin e të drejtave bazë të këtij komuniteti.

“Mbështetja dhe iniciativa e Kuvendit për plotësim të legjislacionit në përputhje me ‘acquis communautaire’ nuk do të mungojë. Fakti që korniza jonë legjislative është vetëm 30% në përputhje me të, është dëshmi që ne kemi ende shumë punë për të bërë, prandaj është e nevojshmë të fillojmë të aplikojmë një qasje më proaktive si institucione”, tha Osmani