Shoqata ‘Thirrje për drejtësi' mbështet Gjykatën Speciale në zbardhjen e të gjitha vrasjeve

Shoqata “Thirrje për drejtësi” e themeluar nga familjarët e viktimave të dhunës politike gjatë e pasluftës në Kosovë ka deklaruar se e mirëpret , inkurajon dhe e mbështet Zyrën e Prokurorit të Specializuar për zbardhjen e të gjitha vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, qofshin ato me motive politike apo motive tjera.

Ata kanë thënë se mbështesin në radhë të parë viktimat dhe familjarët e tyre.

mërkurën, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Pas kësaj, në emër të shoqatës “Thirrje për Drejtësi”,  kryetari Kastriot Imeri ka thënë se drejtësia nuk ka alternativë.

“Pas kaq shume vitesh pritjesh, vuajtjesh e përpjekjesh për drejtësi, jemi të ngazëllyer për adresimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Republikës së Kosovës për arritjen e drejtësisë, në radhë të parë për viktimat si dhe satisfaksionin moral e shpirtëror për familjet tona”, është shprehur ai.

Imeri ka shtuar se me arritjen e drejtësisë u kthehet integriteti e dinjiteti viktimave, që u është marrë padrejtësisht për shumë vite.

“E drejta e luftës së popullit tonë për liri nuk po cenohet dhe për shkak se e drejta ishte në anën tonë,na mbështeti pothuajse e gjithë bota përendimore demokratike dhe sa për memorien tonë kolektive po i listojmë veprimet dhe mbështetjen që na e dhanë si rezultat i asaj lufte të drejtë”, shkroi ai duke kujtuar bombardimet e NATO-s dhe gjykimet e krerëve të shtetit serb për krime lufte.

“Serbia u dëbua me të drejtë nga këtu”, ka shtuar ai.

Sipas shoqatës, Kosova e fitoi lirinë dhe pavarësinë të cilën e meritoi.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i vërtetoi këto të gjitha. Prandaj, gjykimet për krime janë ndaj individëve dhe asesi ndaj organizatave të themeluara për lirinë e vendit. Drejtësia mbi të gjitha!”, thuhet në deklaratën e shoqatës.

Të mërkurën, Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi se  më 24 prill 2020,  u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim Gjykatës Speciale, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Pasi u akuzua për krime lufte, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka publikuar një fotografi me mbishkrimin se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

Kurse kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për krime dhe pengim të punës së gjykatës.