Shoqata që bëri projektin e shtatores së Skënderbeut në Prizren, vjen edhe me një skulpturë për heroin kombëtar

Shoqata “Trojet e Arbrit”, e cila ishte pjesë e projektit për shtatoren e kritikuar të Gjergj Kastrioit -Skënderbeut, ka nisur edhe një projekt tjetër në lidhje me heroin kombëtar.

Shtatoret e figurave kombëtare, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut dhe Adem Jasharit, të përuruara më 28 nëntor në Prizren, u kritikuan për mënyrën e punimit.

Shtatorja e Skënderbeut që ishte vendosur në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prizren, është bashkëpunim mes Komunës së Prizrenit dhe shoqatës “Trojet e Arbrit”.

Sinan Alijaj është skulptori i cili ka punuar skulpturën e Skenderbeut në Prizren, kurse autori i punimit të muranës që do të vendoset afër kalasë së Prizrenit është  skulptori Fiqiri Kasa.

Por shoqata ka thirrur debat publik lidhur me muranën (skulpturën) e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut që do ta vendoet në pjesën shkëmbore nën kalanë e Prizrenit në vitin 2021.

Debati publik do të mbahet nga data 1 dhjetor 2020 deri më 30 dhjetor 2020, ndërkaq sipas shoqatës projekti tani më është i gatshëm.

“Murana do të jetë më një lartësi prej gjithsejt 11 metra dhe do të ndërtohet me strukturë metali,ku do të vishet me një shtresë prej 3-4 cm beton ku do të ketë edhe isolacionet përforcuese për të ruajtur jetëgjatësinë e monumentit.I gjithë ndërtimi dhe modelimi do të kryhet në vendndodhje”, thuhet në njoftimin në Facebook të Nue Oroshi nga kjo shoqatë.

Shoqata ka bërë të ditur se si fillim do të montohet baza mbështetëse në shkëmb, me ndihmën e skeleve do të kryhet i gjithë ndërtimi dhe modelimi i muranës madhështore.

“E gjithë puna do të zgjasë në një periudhe kohore prej 4 deri 5 muaj në varësi të motit.Skulptori do të ketë në ndihmë 3-4 punëtor deri në përfundim.Vendndodhja e skulpturës është e rimenduar në harmoni të plotë me faqën e malit ku do të shkrihet në shkëmb dhe do të ketë të njejtën ngjyrë gjithashtu edhe me ambientin që e rrethon.

Sipas tyre kjo skulpturë mund të kthehët në Ikonën e qytetit dhe në një pelegrinazh nga vizitorët në qytetin e Prizrenit.

“Të gjithë ju qe keni vërejtje sugjerime dhe kritika se çka mundemi me ndryshuar në këtë projekt mundeni ti dergoni në këtë email adresë deri më, datën 30 dhjetor 2020 ku qe nga 1 janari 2021 do të fillojmë me procedura konkrete. Autori i punimit esht skulptori Fiqiri Kasa. Kritikat,sugjerimet dhe vërejtjet munde ti dërgoni në këtë email adresë: [email protected]”, thuhet në njoftimin e shoqatës kulturore dhe shkencore, “Trojet e Arbrit”.