Shoqata ‘Pro Arte’: Ministër, na trego pse nuk e shkarkove Arben Zharkun?

Shoqata e Artisteve të Filmit, “Pro Arte” i ka kërkuar ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që të ndërmarr veprime konkrete dhe emergjente karshi obligimeve ligjore që ka për ta funksionalizuar Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Përmes një kërkese, dërguar edhe mediave, “Pro Arte” i kërkohet llogari ministrit të Kulturës për mosveprim për shkarkimin e drejtorit të QKK-së, pas vërtetimit të akuzave nga Komisioni Disiplinor.

Njëkohësisht, thuhet në kërkesë, pasi të njëjtat janë konstatuar edhe nga vetë Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave (KZKA).

“Prandaj, pika e 4-të nga Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është për t’u brengosur lidhur me procedurat e shkarkimit, të cilat bëjnë për të dyshuar, sepse Ligji për Kinematografi e qartëson me saktësi tek Nenin 32 pika 32.5 Shkarkimi i drejtorit bëhet po me vendim të ministrit për Kulturë në përputhje me ligjin dhe statusin e QKK-së”, thuhet në kërkesën e “Pro Arte”.

Shoqata e artistëve të filmit i ka kërkuar ministri të Kulturës që të marrë një vendim ndaj drejtorit të QKK-së, pas verifikimit të shkeljeve ligjore nga Komisioni Disiplinor dhe nga Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave ashtu siç edhe ju obligon ligji.

“Ky vendim, nuk do të duhej të ketë vonesë më shumë se tridhjetë ditë kohë. Të na njoftoni në të shkruar se pse vendimi pas verifikimit dhe rekomandimeve të Komisionit Disiplinor nuk është marr nga ana e juaj si ministër, të na sqaroni këtë mjegulli, e cila lejon hapësirë për dyshime të qëllimta të ngatërrimit të këtyre procedurave”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Shoqatës së Artistëve të Filmit, “Pro Arte”, lidhur me zhvillimet e fundit në QKK.

MKRS e as Këshilli Drejtues i QKK-së, nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com, deri në momentit e publikimit të artikullit, lidhur me hapat që do të merren për akuzat e drejtuar drejtorit të QKK-së, pas vendimit të KZKA të MKRS-së.

As Arben Zharku, nuk ka dashur komentojë veprimet e mëtejme, pas vendimit të KZKA.

Në korrik të këtij viti, Arbern Zharku është suspenduar e më pas ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të QKK. Por, javë më parë Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anuloi vendimin Komisioni Disiplinor.

Sipas, KZKA-së së MKRS-së, Komisioni Disiplinor, kishte tejkaluar afatet ligjore dhe nuk ka të drejtë të shkarkojë drejtorin e QKK-së andaj çështjen e ktheu në rishqyrtim, duke lënë në fuqi vendimin për suspendim.