Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shoqata e Transportit Rrugor kërkojnë 6.5 milionë euro nga Qeveria

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të udhëtarëve, tha se sot rreth 250 autobusë kanë parakaluar në Prishtinë. Sipas tij, ishte kërkesë e tyre që numri i autobusëve të jetë më  i vogël.

“Ky duhet të jetë alarm i fundit i qeverisë për zbatimin e marrëveshjes”, tha ai duke treguar se i kanë dhënë hapësirë dialogut.

“Por si duket qeveria e ka pas vetëm një premtim të rrejshëm. I bëjë lutje kryeministrit mos t`i ndryshoj qëndrimet”, shtoi ai.

Kurtishaj paralajmëroi se të hënen në ora 10:00 do ta kenë një marsh me 200 ose 300 autobusë dhe do të bllokohet për dy orë qyteti i Prishtinës.

“Protesta do të vazhdoj deri në realizimin e marrëveshjes”, tha ai.

Sipas tij koha e deklaratave për media ka kalu. Qeveria, sipas Kurtishajt, duhet t’i bëjë kërkesë ministrit të Financave t’i alokoj mjetet.

Kurtishaj tha se në marrëveshje kanë kërkuar rreth 6.5 milionë euro për 450 biznese, ndërsa sipas tij, operatorët kanë pësuar humbje për rreth 10 milionë.