Ilustrim:Taksi - Foto: KALLXO.com

Shoqata e taksive ‘Radio Taxi Pasagjeri’ planifikon të padisë Komunën e Prishtinës

Taksitë ilegale që operojnë  në Komunën e Prishtinës si dhe problemet me tarifat e taksive janë disa nga shqetësimet e shoqatës  ‘Radio Taxi Pasagjeri’ ku janë të anëtarësuar nëntë kompani të licencuara.

Shoqata e taksive i është drejtuar komunës me shqetësime në lidhje Problemi me taksitë që sipas tyre marrin licenca në qytete tjera dhe operojnë në kryeqytet si dhe ato që kanë leje për disa vetura por operojnë me numër shumë më të madh.

Sipas Shoqatës ka edhe prej tyre që kanë dallim të madh në çmim, kurse nga Komuna është i vendosur çmimi 1.50 euro si tarifë në nisje.

Lidhur me këto shqetësime Getuar Babiqi, përfaqësues i shoqatës së taksistëve për KALLXO.com ka thënë se ata  kanë kërkuar pesë herë takim me zyrtarë përkatës në Komunën e Prishtinës, por  sipas tij nuk i kanë pranuar asnjëherë.

Sipas tij operimet e taksive ende bëhen përmes një udhëzimi të vitit 2012 i cili sipas tij është i mangët për këtë sektor.

Komuna e Prishtinës në shkurt të vitit të kaluar ka filluar procedurat për hartimin e një rregulloreje për inspektim të taksive në terren.

Kjo shoqatë kishte planifikuar të mbante disa protesta këtë vit, por që ishin ndërprerë për shkak të gjendjes me pandeminë.

Sipas avokatit të shoqatës,  Agron Krasniqi, ata po planifikojnë padi ndaj komunës.

Brenda shoqatës së taksive hyjnë“€-VICTORY” N.SH (Victory) × “ASI RADIO TAXI” N.T.SH (Asi) × “RADIO TAXI DALLAS” N.T.SH (Dallas) × “HEJTAXI” Sh.P.K (Hej) × “CITY TAXI” O.P (City) × “RADIO TAXI GETI” (Geti) × “BEKI PARTNERS” SH.P.K (Beki) × “RADIO TAXI ROBERTI” SH.P.K (Roberti) × “TAXI GROUP 51” SH.P.K (Urban)

Lidhur me paralajmërimin për padi dhe gjithë akuzat e lartpërmendura, Adonis Tahiri, Drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, tha se çdo taksi që operon pas leje konsiderohet ilegal dhe se komuna ka shpesh aksione ku edhe janë gjobitur shumë të tillë.

Tahiri tha se marrë parasysh periudhën në të cilën gjendemi, inspektorati është duke u marrë më shumë me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Çdo taksi më shumë sesa lejet e dhëna konsiderohet ilegal dhe trajtohet si i tillë. Ne kemi aksione të shpeshta në fushën e transportit të udhëtarëve me ç’rast shumë herë janë gjobitur dhe u janë konfiskuar targat atyre që veprojnë ilegalisht. Do të vazhdojmë njësoj me punën tonë në terren, konform kapaciteteve tona. Duhet ta keni parasysh që në këtë periudhë kohore, për shkak të pandemisë, orientimi më i madh i inspektorëve është në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve,” ka thënë Tahiri.