Shoqata e Qumështoreve paralajmëron protestë, do të derdhin qumësht para AUV-së

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka paralajmëruar protestë para zyrës së Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, duke theksuar se do të shoqërojnë me derdhje qumështi.

Sipas një njoftimi për media, Shoqata ka thënë se kjo protestë po bëhet pasi që fermerët janë në gjendje të rëndë.

“Nga faktet e prezentuara rezulton se gjendja vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe e pa kalueshme Diskutimet në Parlamentin e Kosovës me komisionin parlamentar ishin serioze dhe përmbajtësore , por ato nuk dhanë asnje rezultat sepse nuk kishte asnje veprim konkret per të tejkaluar problemet . AUV nuk ndërrmori asnjë veprim të vetem për të ndaluar prodhimet mashtruese dhe shumë të dëmshme me Vaj Palme , qoftë nga importi apo vendore”, thuhet aty.

Më tej, fermerët kanë thënë se Qeveria e Kosovës vetëm u premtoi se do t’i ndihmojë, por sipas tyre nuk ka vepruar asgjë në drejtim të ndalimit të prodhimeve mashtruese.

“Ministria e tregtisë në anen tjeter e shfuqizoi vendimin që kishte sjellur pak më heret për ndalimin e importit tê prodhimeve të ashtuquajtura të Qumështit me Vaj Palme qoftë nga importi apo vendore .  Të ndodhur para një situate të tillë , këshilli koordinues mori vendim që të fillohet me pregaditjet pêr PROTESTË masive e cila fillimisht do të mbahet pranë zyreve të AUV -s e shoqëruar me derdhje Qumështi “, thuhet në njoftim.

Në fund është thënë se Këshilli koordinues u dakordua qê para mbajtjes së protestave të diskutojë edhe një herë me institucionet relevante dhe përgjegjëse për të gjetur zgjidhje në mënyre që të shmanget kapitullimi i Industrisë së qumështit.