Shoqata e pacientëve: Përdorimi i pacientëve për qëllime elektorale është i kundërligjshëm

Kadri Veseli e kishte bërë një postim nga vizita e tij në QKUK bashkë me ministrin në dorëheqje të Shëndetësisë, Uran Ismaili që vie nga PDK-ja. Në këtë postim, ai ka publikuar edhe dy foto me pacientët e shtrirë në spital. Edhe një video të publikuar nga ministri në dorëheqje, Uran Ismaili shihet një paciente.

Sipas Shoqatës për të Drejtave e Pacientëve përdorimi i pacientëve nga funksionarët shtetëror për qëllime të promovimit të punës së bërë është e papranueshme dhe e kundërligjshme, pasi shkel një mori ligjesh që e mbrojnë identitetin e pacientit.

“Përdorimi i pacientëve për çfarëdo qëllimi, aq më pak për qëllime elektorale, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për të Dhënat Personale, Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, Kartën e të Drejtave të Pacientëve, Kodin e Etikës Mjekësore, moralin shoqëror”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

PRAK-u ka ftuar Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Koordinatorët për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Institucioneve Shëndetësore dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që të ndalojnë çfarëdo lloj informate për pacientët të bie në duar të personave të pa autorizuar.

Tutje në reagim PRAK ka thënë se nëse Qeveritarët duan ta tregojnë punën e tyre në shëndetësi, të përdorin raportet dhe statistikat krahasuese dhe jo pacientët.

Po ashtu kjo shoqatë ka përmendur disa nga premtimet e bëra nga mandatari i tanishëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Kujtojmë se gjatë këtij mandati të kësaj qeverie nuk është bërë Sistemi i Informimit Shëndetësor, as Sigurimet Shëndetësore, nuk është miratuar asnjë Ligj, janë miratuar vetëm 4 Udhëzime Administrative, nuk është përmbushur as për së afërmi Lista e Barnave Esenciale, Fondi për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike ka hyrë në borxh për shkak të kërkesave enorme për trajtim jashtë këtyre institucioneve, nuk është ndarë Sistemi Shëndetësor Sekondar nga ai Terciar”, ka vazhduar reagimi.