Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim shpëtoi dy vajza pas tërmetit në Turqi

Kryeministri Albin Kurti, ka takuar sot ekipin e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim (ShKKSh) e cila qëndroi për pesë ditë në Turqi pas tërmetit të 6 shkurtit.

Ekipi njoftoi kryeministrin Kurti për përvojat gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit në lokacionin Hataya e cila ishte një nga zonat më të goditura nga tërmeti.

Gjatë pesë ditëve që qëndroi në Turqi, ekipi i ShKKSh arriti të shpëtoi dy vajza, një 3-vjeçare dhe tjetra 26-vjeçare.

“Kryeministri Kurti përgëzoi ekipin për punën dhe suksesin e treguar gjatë operacionit në Turqi dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë të kultivojnë frymën e vullnetarizmit, jo vetëm në organizatë por edhe në shoqëri. Kryetari i Shoqatës, Mahir Hasani, falënderoi kryeministrin Kurti që pavarësisht angazhimeve për festën e pavarësisë, gjeti kohë të mirëpres dhe takojë ekipin e SHKSHK”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë takim, Kurti u shoqërua nga Kolonel Ejup Maqedonci, oficer i FSK me përvojë të gjatë në fushën e kërkim shpëtimit.

Në Turqi dhe Siri mbi 40 mijë persona kanë mbetur të vdekur pas tërmetit shkatërrimtar me magnitudë, 7.8 ballë të i cili goditi vendet të hënën e 6 shkurtit.

Qindra qytetarë të cilët kishin mbetur nën rrënoja kanë arritur të shpëtohen nga ekipet e kërkim-shpëtimit në Turqi.

Për t’i dalë në ndihmë popullit turk në Turqi ka qëndruar edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës.