Shoqata e Gatronomëve pas takimit me AAK-në: Jemi në pikën më kritike

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Armërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka mbajtur pasditen e sotme konferencë për media pas takimit që kishte me kryetarin e Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi.

Tahiri në konferencë ka thënë se në këtë takim kanë dëgjuar kërkesat e gastronomeve në raport me mbylljen në kuadër të masave kundër COVID-19.

“Së bashku me deputetin Pal Lekaj dhe doktor Shemsedin Dreshaj, i dhamë mendimet tona dhe ne mendojmë se janë katër çështje të rëndësishme. Qeveria, ministri Vitia, kryeministri Kurti të punojnë me të gjithë kapacitetin e mundshëm me të gjithë miqtë vendor dhe ndërkombëtar në vaksinimin masiv”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, si pikë e dytë, e shumë e rëndësishme, është që të rriten kapacitetet spitalore pasi konsideroi se sot ishte një ditë jo e lehtë për vendin.

“E treta që respektimi i masave si te gastronomet edhe te sektori privat të inspektohen në të gjitha format. Jem kundër mbylljes për shkak se ne mendojmë se menaxhimi i pandemisë nuk bëhet në asnjë formë përmes karantinës dhe përmes mbylljes”, tha Tahiri.

Ndërsa përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi tha se gastronomia është në pikën më kritike.

“Jemi në pikën më kritike momentalisht, jemi në mbyllje, jemi duke shkuar drejt hapjes dhe po shpresojmë që në verë do të shkojmë drejt hapjes totale”, u shpreh Kollokoqi.

Ai tha se në këtë takim u dakorduan së bashku që kërkesa e tyre të jetë që gjatë sezonës së verës të ketë hapje totale.

“Si po e shohim gjatë fushatës në Shqipëri po premtojnë hapjen totale të gastronomisë, vaksinimi në rajon po shkon shumë më përpara se Kosova, njëkohësisht diaspora dhe rinia deri verës vaksinohen dhe ata do të kërkojnë që të dalin kështu që të ua hapim dyert”, tha Kllokoqi.

Ai ka lutur Qeverinë e Kosovës që të orientohet drejt vaksinimit, dhe ta lënë gastronominë që të “marrin frymë”, pasi sipas tij janë duke kërkuar vetëm normalitet të gjendjes.