Protesta simbolike e gastronomëve; Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Shoqata e Gastronomëve: Qeveria në mënyrë dinake ndryshoi vendimet e fundit

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përmes një postimi në facebook i ka quajtur veprimet e fundit të organeve përgjegjëse për zbatimin e ligjit në Kosovë të padrejta, papërgjegjshme dhe dinake.

Sipas Shoqatës se Gastronomëve, vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës ka shprehur konfuzion për pothuajse secilin subjekt afarist të gastronomisë.

“Subjektet e gastronomisë, radhazi janë njoftuar nga organet zbatuese që puna e tyre mund të zhvillohet ose të mos zhvillohet duke u bazuar në pikën 34 të Vendimit 01/32 të dt. 28.08.2021, sa i përket definimit të kuptimit të hapësirës së brendshme dhe të jashtme, e cila ka ndryshuar padrejtësisht dhe në mënyrë dinake përmes vendimit të fundit. Pra, kjo çështje konfuze nuk ka qenë vetëm për gastronominë, por edhe për organet shtetërore përgjegjëse”, thuhet në postimin e Shoqatës së Gastronomëve.

Shoqata e Gastronomëve ka njoftuar për disa raste të raportuara mbrëmë  për disa lokale që janë gjobitur dhe veprimtaria e tyre është ndalur deri më 13.09.2021.

“Siç jemi njoftuar sot, këto organe para pak ditësh kanë kërkuar interpretim ligjor nga organet përgjegjëse, rreth kësaj çështjeje dhe me marrjen e këtij interpretimi në mënyrë automatike dhe në shumë raste të raportuara mbrëmë kanë vendosur gjoba, dhe menjëherë ndalim të veprimtarisë deri më datë 13.09.2021”, tregon Shoqata e Gastronomëve.

Sipas tyre, vendime të tilla janë të padrejta dhe se “afati kohor për njoftimin e subjekteve të gastronomisë rreth një interpretimi të tillë do të duhej të ishte për një periudhë të arsyeshme dhe jo të menjëhershme siç ka ndodhur mbrëmë”.