Ilustrim

Shoqata e gastronomëve: Kufizimi i orarit të punës po na shpie drejt një kolapsi ekonomik

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përmes një komunikatë kanë deklaruar se masat e reja të Qeverisë shtyjnë ekonominë drejt një krize si dhe kolaps ekonomik.

Sipas komunikatës, kjo shoqata pohon se nuk janë të gatshëm për ballafaqimin e kësaj situata si dhe humbjeve të vendeve të punës

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës është shkurtuar orari i punës në gastronomisë në të gjithë Kosovën nga ora 5 në mëngjes deri në ora 21:00 pasdite.

Sipas vendimeve të Qeverisë gjatë orarit lejohet vetëm puna në pjesën e hapur të lokalit me distancë në mes të tavolinave .

Shoqata ka bërë thirrje që të dënohen individualisht bizneset që nuk respektojnë masat e jo i gjithë sektori pasi që sipas tyre nuk ka statistika se gastronomia është vatër e infeksionit.

“Virusi është ekzistent, dhe ne duhet të mësohemi te jetojmë me të duke e vetëdijesuar popullatën dhe parandaluar rritjen e numrit të infektuarve dhe jo duke fajësuar vetëm sektorë të caktuar e duke goditur vetëm biznese të caktuar. Për më tepër, nuk ka fakte dhe statistika të sakta qe vatra e virusit është Gastronomia dhe si shoqatë, ndjehemi të revoltuar nga shpifje të tilla, marrë parasysh se ne nuk veprojmë për të dëmtuar askënd kur edhe vet jemi të rrezikuar nga ky virus dhe kemi përgjegjësi ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë. Ju bëjmë thirrje që Institucionet kompetente ti gjobisin bizneset individualisht për shkelje të masave dhe rregullave, dhe jo të veprojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatën e shoqatës.

Komunikata e plotë:

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, është mbledhur dje me datë  07.07.2020, për të diskutuar vendimet e fundit të Qeverisë dhe dhënë rekomandime për lehtësimin e gjendjes dhe përkrahjes së këtij sektori.

Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar aktuale dhe rritjen e numrit  të infektuarve me virusin COVID-19,  ne si Shoqatë, ju bëjmë thirrje për bashkëpunim në dhënien e kontributit tonë në dizajnimin e masave dhe praktikave më të mira  dhe më të  përshtatshme, të cilat do të ishin më pak të dëmshme si për bizneset tona ashtu edhe për ekonominë e vendit. Tanimë, të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk e kemi luksin për humbje akoma më të mëdha te vendeve të punës dhe thellim të krizës ekonomike!

Ne si Shoqatë, edhe pse kemi qenë vazhdimisht sektori më i goditur nga pandemia, kemi qenë dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim me institucionet përkatëse. Vendimi i fundit i marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, jo vetëm që nuk ndikon në parandalimin e përhapjes së virusit, por edhe shkatërron komplet bizneset tona dhe na shpie drejt një kolapsi ekonomik.

Si Shoqatë mendojmë që shkurtimi i orarit  të punës deri në orën 21:00, neve si biznese na pamundëson operimin e mëtutjeshëm dhe na çon drejt shpalljes së bankrotit. Njëkohësisht, nuk besojmë që ky është faktor kyç që do të ndihmonte zvogëlimin e numrit te infektuarve dhe si Shoqatë besojmë që vetëdijesimi i klientëve tonë, stafit, mbajtjes së maskave dhe respektimit te masave të tjera gjithmonë në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të ishte zgjidhje më e mirë.

Ne mbetemi të bindur që orari nuk është problemi dhe faktori kryesor por vetëdijesimi i popullatës për të mbrojtur veten dhe të tjerët duke respektuar masat e ISHPK-së.

Virusi është ekzistent, dhe ne duhet të mësohemi te jetojmë me të duke e vetëdijesuar popullatën dhe parandaluar rritjen e numrit të infektuarëve dhe jo duke fajësuar vetëm sektorë të caktuar e duke goditur vetëm biznese të caktuar. Për më tepër, nuk ka fakte dhe statistika të sakta qe vatra e virusit është Gastronomia dhe si shoqatë, ndjehemi të revoltuar nga shpifje të tilla, marrë parasysh se ne nuk veprojmë për të dëmtuar askënd kur edhe vet jemi të rrezikuar nga ky virus dhe kemi përgjegjësi ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë.

Ju bëjmë thirrje që Institucionet kompetente ti gjobisin bizneset individualisht për shkelje të masave dhe rregullave, dhe jo të veprojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Pasi që sektori i gastronomisë është i prekur direkt edhe nga vendimet e fundit, duhet urgjentisht një konsultë me akterët e këtyre sektorëve dhe vendime për shtim të përkrahjes specifike për këtë sektorë, përfshirë:

  1. a) Riprogramimin e kësteve të kredisë;
  2. b) Lehtësira për qasje në financa;
  3. c) Përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj;
  4. d) Shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve, së paku edhe për tre muaj.

Shpresojmë që këto rekomandime të merren parasysh nga institucionet relevante, marrë parasysh rëndësinë që ky sektor ka në ekonominë e vendit, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve.