ilustrim

Shoqata e Gastronomëve distancohet nga lokalet që e rritën çmimin e kafesë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës është distancuar nga lokalet që kanë rritur çmimin e kafesë.

Sipas Shoqatës, rritja apo mos rritja e çmimit është vendim subjektiv i një biznesi e jo kolektiv.

“Është raportuar se janë duke ndodhur marrëveshje sa i përket rritjes së çmimit të kafes të disa bizneseve në disa komuna të ndryshme të Kosovës.  Shoqata e Gastronomëve të Kosovës distancohet nga këto veprime të kundërligjshme të cilat bijnë ndesh me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës. Rritja apo mosrritja e çmimit është vendim subjektiv i një biznesi e jo kolektiv.  E kuptojmë që është bërë sfidë në vete arritja e likuidimit të shpenzimeve operative, kreditore, etj. mirëpo jo në mënyrë të tillë siç po raportohet. Rrjedhimisht, nëse ky fenomen është duke ndodhur, ju bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të këtyre veprimeve”, thuhet në reagim.

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë thirrje te lokalet e gastronomisë që të mos i rritin çmimet ndryshe do të iniciojë procedura hetimore nga AKK.

Sipas Prestreshit, disa lokale të gastronomisë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkërisht me marrëveshje t’i ngritin çmimet e kafeve dhe produkteve tjera.

Sipas tij, kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës bën thirrje te gastronomia që të mos i rrisin çmimet