Pamje të një restoranti bosh në Shkup.

Shoqata e Gastronomëve deklarohet për masat e reja të Qeverisë për sektorin e tyre

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka deklaruar se masat e reja të Qeverisë që funksionimi i gastronomisë të lejohet edhe për një orë më tepër, është një ndihmesë që nuk është për t’u lavdëruar.

Megjithëkëtë kjo shoqatë ka theksuar se i gëzohen faktit që shërbimet “delivery” apo “porosi me dërgesë” lejohen në të gjitha komunat, pa përjashtime.

“Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës me Nr. 01/51, jemi të njoftuar sa i përket  ndryshimit të masave lidhur me luftimin e përhapjes së pandemisë. Sipas këtij vendimi kuptojmë që tani funksionimi i gastronomisë lejohet edhe për një orë më tepër, duke e barazuar orarin e operimit të bizneseve në nivel vendi deri në ora 20:00 (një ndihmesë që nuk është për t’u lavdëruar)”, thuhet në publikimin e tyre në Facebook.

Shoqata tutje ka theksuar se sa kufizimi i lëvizjes së personave fizikë në komunat e cilësuara “me rrezik të lartë” ndikon edhe në përjashtimin e mundësisë së ofrimit të shërbimeve “take away” apo “merr me vete”.

“Për këtë gjë apelojmë tek institucionet tona pa pasur nevojë të marrim asnjë shembull konkret të praktikave të disa prej vendeve të zhvilluara (pasi nuk krahasohemi me to as nga përkrahja ekonomike në vendet e tyre, e gjithashtu nga ajo sociale), mirëpo vetëm rekomandimet e OBSH – së, të cilat kundërshtojnë një politikë të tillë, si të pasuksesshme në luftimin e këtij infeksioni”, thuhet në reagim.

Vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës për masat e reja kundër pandemisë lejon shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë të punojnë nga ora 05:00 deri 20:00.

Ndërkaq pas orës 20:00, këto biznese mund të punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Sipas masave të reja, për komunat me rrezik të ulët dhe në ato me rrezik të mesëm, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Ndërkaq, në komunat me rrezik të lartë, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”. Në këto komuna pas orës 20:00 nuk lejohet shërbimi “merr me vete”.

Më poshtë  e gjeni të plotë publikimin e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës:

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës

Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës me Nr. 01/51, jemi të njoftuar sa i përket ndryshimit të masave lidhur me luftimin e përhapjes së pandemisë. Sipas këtij vendimi kuptojmë që tani funksionimi i gastronomisë lejohet edhe për një orë më tepër, duke e barazuar orarin e operimit të bizneseve në nivel vendi deri në ora 20:00 (një ndihmesë që nuk është për t’u lavdëruar).

Gjithsesi i gëzohemi faktit që përfundimisht tanimë shërbimet “delivery” apo “porosi me dërgesë” lejohen në të gjitha komunat, pa përjashtime. Kjo vjen si pasojë e një fushate dhe lobimi të palodhur të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës për të përkrahur me legjitimitet të plotë përherë sektorin e gastronomisë, pra të bazuar edhe në referenca shkencore, që kontribojnë edhe në ruajtjen e Shëndetit Publik e gjithsesi edhe Shëndetit Ekonomik.
Përjashtimisht dhe veçanërisht, sa i përket kufizimit të lëvizjes së personave fizik në komunat e cilësuara “me rrezik të lartë”, ndikon edhe në përjashtimin e mundësisë së ofrimit të shërbimeve “take away” apo “merr me vete”. Për këtë gjë apelojmë tek institucionet tona pa pasur nevojë të marrim asnjë shembull konkret të praktikave të disa prej vendeve të zhvilluara (pasi nuk krahasohemi me to as nga përkrahja ekonomike në vendet e tyre, e gjithashtu nga ajo sociale), mirëpo vetëm rekomandimet e OBSH – së, të cilat kundërshtojnë një politikë të tillë, si të pasuksesshme në luftimin e këtij infeksioni.

Po të lejohej lëvizja e njerëzve dhe funksionimi i gastronomisë në mënyrë më të dinjitetshme, sidomos me rastin e festave të fundvitit, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”, do të lehtësonte sadopak gjendjen e rënduar të sektorit tonë, dhe tërë ekonomisë në mënyrë zingjirore.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës