Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme kërkon të mos ndalohen ndërtimet e hidrocentraleve

Sipas Shoqatës së Energjisë së Ripërtërishme, SHERK, përmes një letre drejtuar kryeministër i Republikës së Kosovës Albin Kurtit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që të mos ndalen punimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë.

Ata përmes letrës kanë thënë që projektet janë ndërtuar, apo janë duke u ndërtuar kryesisht nëpër zona malore të pa shfrytëzuara dhe me ndikime minimale sociale e mjedisore, përjashtimit ndonjë projekti të veçantë që ka mundur të ketë ndonjë ndikim edhe pse janë ndërtuar larg burimeve të ujit të pijshëm.

Po ashtu, SHERK ka thënë në letër se çdo vendim që mund të merret tani, kur pothuajse janë përfunduar shumica e punimeve, do të ishte në kundërshtim të marrëveshjeve dhe të Ligjit për Investime Nr. 04/L-220 ku në nenin 6 par. 2 fuqizohet mbrojtja e investitorëve.

Në letër thuhet tutje se nëse merret ndonjë vendim për ndaljen e punimeve tash,  në rast të ndonjë vendimi arbitrar, pasojat dhe dëmet që mund të shkaktohen për të gjitha palët do të ishin mjaft të mëdha sidomos për Buxhetin e Republikës së Kosovës, pasi që, sipas shoqatës, çdo projekt është i pajisur me të gjitha lejet dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Letra e plotë:

Përmes medieve elektronike jemi njoftuar se pritet të merret një vendim për ndalimin e punimeve të Hidrocentraleve në Kosovë, ku shumica prej tyre janë afër përfundimit sipas kushteve dhe afateve ligjore.

Na lejoni të ju informojmë se procesi i ndërtimit të hidrocentraleve ka filluar që nga viti 2006, dhe në vitin 2010 janë dhënë lejet dhe autorizimet e para për ndërtimin e tyre.

Ndërtimi i tyre zanafillën e saj e ka nga obligimet e Komunitetit të Energjisë, dhe Vendimi i Këshillin të Ministrave i Komunitetit të Energjisë, për caktimin e caqeve obligative që janë vendosur që Kosova duhet ti arrijë deri në vitin 2020.

Ministria e Energjisë dhe Minierave, fillimisht, në konsultim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, në vitin 2007 dhe pastaj në vitin 2013 me Udhëzim Administrativ ka caktuar caqet e BRE-ve, ku hidrocentraleve të vogla ju ka dhënë hapësirë deri në 240 MW, e as gjysma e tyre nuk ka mundur të arrihet.

Direktiva e BE nr. 72 / 2009 ka caktuar që procesi i ndërtimit të BRE-ve duhet të zhvillohet përmes procesit të autorizimit. Ne si zhvillues vendor të projekteve, me partneritete të jashtme kemi filluar me hulumtimet dhe studimet e nevojshme, dhe pas kompletimit të më shumë se 20 lejeve të lëshuara nga të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës, të nivelit qendror dhe lokal, jemi pajisur me Leje të ndërtimit dhe autorizime finale.

Investimet ne këto projekte është dashur të bëhet përmes ekuitetit dhe të kredive bankare, ku për më shumë se 2 vite negociata me bankat ne kemi arritur të marrim edhe kreditë bankare me norma të larta të interesit.

Projektet janë ndërtuar, apo janë duke u ndërtuar kryesisht nëpër zona malore të pa shfrytëzuara dhe me ndikime minimale sociale e mjedisore, përjashtimit ndonjë projekti të veçantë që ka mundur të ketë ndonjë impakt edhe pse janë ndërtuar larg burimeve të ujit të pijshëm.

Qëllimi i Shtetit të Kosovës fillimisht ishte te arritja e caqeve dhe zhvillimi i sektorit të energjisë dhe ndërtimi i hidrocentraleve dhe projekteve të erës dhe solare, ishte synim dhe qëllimi kryesor. Ne si kompani edhe me partneritete ndërkombëtare nga USA, Austria, Gjermania e Sllovenia etj., pas shumë vështirësive kemi arritur të fillojmë dhe t’i ndërtojmë këto projekte edhe pse, kostoja e investimet të tyre ishte mjaft e lartë, dhe kthimi i investimet mund të vije tek pas vitit të 8 të gjenerimet, ndërsa kontrata është vetëm për 10 vite.

Për më tepër pas shumë diskutimeve dhe EBRD dhe IFC kemi arritur që të sigurojmë edhe Marrëveshjen për Blerje të Energjisë e cila është lidhur me KOSTT, dhe kjo marrëveshje është bërë “bankable”, ku bankat komerciale kanë filluar edhe të na financojnë me gjithë kushtet e vështira për mbulimin me kolateral kemi hyrë në marrëdhënie kontraktuale me bankat, ndërsa partnerët tanë investitor të jashtëm kanë mbrojtje nga shtetet e tyre.

Çdo vendim që mund të merret tani, kur pothuajse janë përfunduar shumica e punimeve, përjashtimit ndonjë projekt specifik, do të kishte konsekuenca të mëdha ligjore e kontraktuale pasi që çdo investitor në Kosovë është i mbrojtur edhe përmes Ligjit për Investime Nr. 04/L-220 ku në nenin 6 par. 2 fuqizohet mbrojtja e investitorëve si në vijim:

Asnjë ligj, rregullore ose akt tjetër normativ nuk ka fuqi retroaktive ose nuk mund të zbatohet në mënyrë retroaktive në dëm të investitorit të huaj ose një investimi të investitorit të huaj. Nëse, investitori i huaj ka bërë investim në Republikën e Kosovës, dhe brenda periudhës pesë (5) vjeçare, menjëherë pas bërjes së investimit, ndonjë dispozitë e këtij ligji ndryshohet ose revokohet, dhe kjo ka ndikim negativ në investitorin e huaj ose investimin e tij, atëherë investitori i huaj ka të drejtë në kompensim nga Qeveria e Republikës së Kosovës sipas nenit 8 paragrafi 2. të këtij ligji, për të gjitha dëmet dhe shpenzimet e shkaktuara si pasojë e ndryshimit, revokimit ose nxjerrjes së një akti të tillë. Ky privilegj i investitorit të huaj i jepet atij dhe mund të zbatohet menjëherë pas bërjes së investimit në Republikën e Kosovës.

Në bazë të kësaj edhe me Nenin 2 dhe 44 të Marrëveshjes për Blerje të Energjisë, përmban klauzolën se investitori në proces të arbitrazhit do të dëmshpërblehet për koston investive por, edhe për fitim e humbur.

Ne jemi duke punuar në kushte të vështira, ku deri më tani janë punësuar më shumë se 2000 punëtorë të rregullt dhe punëtorë gjatë ndërtimit qoftë përmes kompanive kontraktuese qofte direkt, të cilët marrin paga dhe mbajnë familje. Përveç se zvogëlojmë dukshëm importin e energjisë e që mbi 90 % importohet nga Serbia, zvogëlojmë ndotjen emetimin e CO2 ndotjen e ajrit dhe të lumenjve që është e kundërta e asaj që propagandohet në mënyre te egër se hidrocentralet ndotin lumenjtë. Për me tepër kompanitë tona janë taksapagues të rregullt ku paguhen qindra mijëra euro buxhetit të vendit. Ndërsa investimet tona janë kryesisht të kapitalit vetanak dhe me kredi me norma mjaft të larta të interes dhe të mbuluara me kolateral mbi 200 % të vlerave të kredituara.

I nderuar Kryeministër dhe Ministër ju lusim që të vlerësoni në mënyrë të paanshme projektet edhe legjislacionin pasi që ne kemi kaluar nëpër një sërë filtrash me më shumë se 20 leje të lëshuara nga insitutucionet lokale e qendror të Republikës së Kosovës. Po ashtu na lejoni të ju informojmë se në rast të ndonjë vendimi arbitrar, pasojat dhe dëmet që mund të shkaktohen për të gjitha palët do të ishin mjaft të mëdha sidomos për Buxhetin e Republikës së Kosovës, pasi që çdo projekt është i pajisur me të gjitha lejet dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.

KALLXo.com raportoi se në rrjetin social në Facebook është krijuar një grup për mbrojtjen e lumit Lepenc. Emri i grupit është “Grupi për mbrojtjen e lumit në BREZOVICË” dhe në këtë grup deri më tash numëron mbi 2000 mijë anëtarë.

Në këtë grup një numër i konsideruar qytetarësh janë duke shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me vazhdimin e punimeve përgjatë lumit Lepenc në malet e Sharrit për ndërtimin e hidrocentraleve.

Sipas tyre, kompania e cila po ndërton hidrocentralet në këtë pjesë ka rritur intensitetin e punës në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë.

Në grup, cdo ditë janë duke u publikuar video dhe fotografi ku shihen pajisje të kompanisë duke punuar në ndërtimin e hidrocentraleve.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për degradimin e lumenjve nga punimet në shtratet e tyre nga operatorë të ndryshëm ekonomik që po merren me ndërtimet e hidrocentraleve – LINK

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.