(Shkatërrimi pas tërmetit në Thumanë) - Foto ilustruese

Shoqata e Arkitektëve proteston ndaj arrestimeve post-tërmet

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë protestoi të Martën ndaj arrestimit të disa prej anëtarëve të saj nga ana e Prokurorisë së Tiranës duke i konsideruar si të papranueshme në një shoqëri të lirë.

“Ekzekutimi i masave ekstreme nga institucionet ligjzbatuese pa u thelluar më parë në metodologjinë dhe procesin e përgjegjësive të dëmeve të tërmetit sipas fazave të përcaktuara me ndalime me arrest / apo tjetër, është e papranueshme në një shoqëri të lirë, duke shkaktuar dëme traumatike për jetën dhe aktivitetin profesional individual apo familjar, për secilin qytetar dhe profesionist të lirë të këtij vendi,” shkruhet në njoftimin e shoqatës.

Policia shqiptare kreu ekzekutimin e një numri urdhërarrestesh më 15 janar, duke deklaruar se arrestimet lidheshin me mbajtjen përgjegjës të tyre në lidhje me pallatet, të cilat pësuan dëme nga tërmeti i 26 Nëntorit në zonën e Tiranës. Arrestimet u kryen në lidhje me pallate të dëmtuara në zonat periferike të Tiranës dhe në pranga ranë edhe dy ish-kryekomunarë, Besnik Fuçia i Kasharit dhe Fatbardh Plaku i Farkës, gjë që solli akuza për selektivizëm politik nga ana e prokurorisë pasi që të dy ish-kryekomunarët i përkasin Partisë Demokratike në Opozitë.

Gjykata e Tiranës rrëzoi shumicën e kërkesave të Prokurorisë dhe vlerësoi se 6 ndalime ishin kryer në mënyrë të paligjshme.

Shoqata e Arkitektëve vërejti në deklaratën e saj se roli i arkitektit, sipas licencës së punës që lëshohet nga autoritetet publike, ka të bëjë me zgjidhje volumetrike apo estetike, por nuk ka të bëjë me cilësinë e projektimit apo zbatimit të një projekti dhe për rrjedhojë, nuk mund të arrestohet për dëmtimet që një ndërtesë mund të pësojë në rast tërmeti.

“Sipas legjislacionit në fuqi, por edhe atij analog ndërkombëtar, arkitekti nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore, që lidhen me hartimin e projektit konstruktiv të ndërtesës dhe për rrjedhoje nuk mund të ngarkohet me asnjë përgjegjësi ligjore dhe morale të lidhur me qëndrueshmërinë statike dhe sizmike tërësore apo pjesëve të veçanta të saj,” thuhet në deklaratë.

“SHASH mbështet nxjerrjen e përgjegjësive profesionale të lidhura me dëmet e tërmetit, por çdo hetim duhet të jetë i mbështetur me ekspertizën serioze profesionale,” vërejnë arkitektët. (reporter.al)