Shoqata "Down Syndrome" kërkon mbështetje nga Qeveria, thonë se rrezikojnë të mbyllin qendrat

Shoqata Down Syndrome Kosova ka nisur një letër reagim në drejtim të Qeverisë, përmes së cilës kërkojnë  nga institucionet të shqyrtojnë mundësitë e ndarjes së buxhetit për mbështetjen e shërbimeve psiko-sociale për personat me sindromë Down.

Në letrën e tyre thuhet se anulimi i shumë aktivitete për shkak të pandemisë dhe mos hapja e thirrjes publike nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i kanë vënë  “në një situatë në të cilën shërbimet mbështetëse për fëmijët dhe të rinjtë me sindromin Down rrezikohen”.

Kjo shoqatë ka kërkuar vëmendjen dhe një intervenim konkret dhe të shpejtë në këtë drejtim.

Kjo është letra e plotë e Shoqata Down Syndrome Kosova drejtuar kryeministrit Avdullah Hotit, ministrit të Punës dhe Mirëqenies Social, Skender Reçica dhe ministres së Financave, Hykmete Bajrami

Përmes kësaj kërkese Shoqata Down Syndrome Kosova kërkon nga Institucionet që ju udhëhiqni që të trajtojni me prioritet dhe urgjencë mundësitë për ndarjen e buxhetit për shërbimet sociale për personat me sindromë Down.

Shoqata Down Syndrome Kosova numëron mbi 980 anëtarë dhe ka shtrirje me qendra në katër regjione te Republikës së Kosovës (Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë), nëpërmjet të cilave ofron shërbime mbështetëse direkte për mbi 200 persona me sindromën Down. Të gjitha shërbimet profesionale që i ofron shoqata jonë, ofrohen pa pagesë për komunitetin e personave me sindromën Down, e gjitha kjo falë angazhimit tonë të përditshëm në ngritjen e fondeve, nga burimet e ndryshme siç janë institucionet publike, bizneset vendore, organizata ndërkombëtare, qytetarë e vullnetit të mirë, nga shitja e produkteve të shoqatës tonë, punë tejet e vështirë duke marrë parasysh mungesën e fondeve prej shtetit për këto shërbime dhe faktin që kemi një numër të madh të kërkesave, por me gjithë këto vështirësi kemi arritur të mbijetojmë.

Rrethanat e krijuara nga pandemia anulimi i shumë aktivitete që kanë ndihmuar në ngritjen e fondeve, mos hapja e thirrjes publike nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka sjellur në një situatë në të cilën shërbimet mbështetëse për fëmijët dhe te rinjët me sindromën Down rrezikohen të ndalohen, pra të mbyllim Qendrat tona. Vlen të theksohet se përkundër rrethanave stafi profesional i shoqatës tonë është duke vazhduar me ofrimin e shërbimit në mënyrë virtuale për secilin anëtarë dhe familjarë të tij.

Ne jemi të vetëdijshëm për kostot e mëdha që ka sjellë situata nga virusi COVID -19 dhe nevojat e qytetarëve te Republikës së Kosovës, por gjendja në të cilën jemi si shoqatë kërkon vëmendjen tuaj dhe një intervenim konkret dhe të shpejtë për mbështetje nga qeverianë këtë rast.

Duke ju falendëruar për angazhimin dhe kujdesin që po tregoni për qytetarët e Republikës së Kosovës mbesim me shpresën që kërkesën tonë do ta trajtoni me urgjencë.