
'Shok, sigurt kryhet nesër' - fjalët që Naim Murseli sipas Prokurorisë i kishte thënë Granit Plavës
Dosja e Prokurorisë së Prishtinës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë: Naim Murseli, djali i dajës së tij Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj, shpalos komunikimet në mes të dy të akuzuarve rreth një javë para se të vritej Ademaj.
Bëhet fjalë për komunikimet mes Granit Plavës dhe Naim Murselit – biseda të regjistruara në rrjetin WhatsApp nga data 25.11.2023 deri më 29.11.2023.
Këto kontakte – sipas Prokurorisë – kanë ndodhur çdo ditë në këtë interval kohor.
Më 28.11.2023, në ora 19:41, sipas të dhënave në Dosje të Prokurorisë thuhet se Naim Murseli i ka dërguar mesazh Granit Plavës, duke i thënë “Shok, sigurt kryhet nesër, a të ka thënë Kuqa që paradite?”.
Pas këtij mesazhi – sipas Prokurorisë – kanë vazhduar biseda me audio – një bisedë e tillë e regjistruar në telefonat e të akuzuarve ka ndodhur edhe më 29.11.2023, në ora 19:01, ku kishte pasur bisedë telefonike për 00:00:28 sekonda.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, Granit Plava dy ditë para se të ndodhte rasti, më 27.11.2023 kishte biseduar në telefon me babanë e tij, duke e pyetur “Hej, a e din noshta, ku e kam lënë kallashin bre?”, por që babai i tij ishte përgjigjur “Jo”.
Provë tjetër e cila është paraqitur nga Prokuroria është edhe shkresa e organeve të Mbretërisë së Suedisë e datës 08.05.2024, e cila është marrë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Prokuroria kishte parashtruar pyetje se “A ka pasur Liridona Murseli siguri jetësore!?”, ”Nëse ka pasur, te cila Kompani e Sigurimeve dhe sa është shuma e sigurimit jetësor”.
“Sigurimi jetësor është lidhur me Kompaninë “Folskam”, shuma e sigurimit arrin shumën prej 3 milionë kruna suedeze.” – është përgjigja e autoriteteve suedeze për Prokurorinë e Prishtinës.
Prokuroria e Prishtinës si provë ka paraqitur edhe Raportin informativ për Transaksionet bankare për të pandehurin Naim Murseli dhe të gjitha informacionet për detyrimet financiare, që i ka Naim Murseli.
Sipas provave që i ka siguruar Prokuroria, në Dosjen e saj, del se Naim Murseli kishte borxhe ndaj personave fizik dhe juridik, në vlerë mbi qindra mijëra euro.
Mbi bazën e kësaj prove, Prokuroria thotë se është vërtetuar se planifikimi e përgatitja për vrasjen e Liridona Ademajt është bërë për përfitime financiare – konkretisht dëmit që do të merrte nga polica e Sigurimit jetësor, në emër të Liridona Ademajt.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona, të cilët po akuzohen tashmë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë Aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja, Javorka Prlinçeviq. Kjo e fundit madje në një Konferencë, që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi, tha se vonesa e Aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.
Aktakuza: Naim Murseli e mbajti për krahu Liridona Ademajn që mos t’i shmangej plumbit
Raportimet e KALLXO.com – LINK