Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Shoferi dyshohet se goditi shtyllën dhe ia dëmtoi dyert e oborrit një qytetari në Vushtrri

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është raportuar se një i dyshuar derisa ishte duke e drejtuar veturën, nga pakujdesia e ka goditur një shtyllë në Vushtrri.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari pasi e ka goditur shtyllën ajo ka rënë mbi dyert e oborrit qytetarit që e ka raportuar rastin.

Rasti ka ndodhur më 10.06.2024, rreth orës 08:50, njofton Policia.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia në Mitrovicë ka njoftuar se bëhet fjalë për dyer të oborrit, ndërsa shtylla që ka goditur i dyshuari është shtyllë e betonit, e cila vendoset për mbajtjen e dyerve të oborrit.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit janë marrë masa ligjore sipas Ligjit për Rregullat e trafikut rrugor.

“Ndaj kundërvajtësit janë marrë masat ligjore të parapara me Ligjin për Rregullat e trafikut rrugor për aksidentin e shkaktuar dhe dëmtimin e pronës private” – thuhet në përgjigjen e Policisë, më 11.06.2024.

Rasti është inicuar si “Aksident trafiku me dëme materiale”.

Ligjin për Rregullat e trafikut rrugor, në nenin 249 flitet për ‘Masat e veçanta për kundërvajtje’, në të cilin është përcaktuar kundërvajtja që shqiptohet ndaj të dyshuarit që ka shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale.

“Nëse është shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale, kryesi i kundërvajtjes nga ky ligj dënohet me gjobë të paraparë për atë kundërvajtje, duke e rritur shumën për 200 euro” – thuhet në pikën 1, të nenit 249, të Ligjit për Regullat e trafikut rrugor.