Shmangia tatimore nga estrada, këngëtari i famshëm deklaron se këndon për vetëm 500 euro
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i operacioneve në Administratën Tatimore, Nijazi Asllani, paralajmëroi ngritjen e kallëzimeve penale kundër këngëtarëve të cilët nuk i paraqesin saktë shumat e parave të cilat i realizojnë gjatë sezonit veror.
Ai këto paralajmërime i bëri në emisionin “Kallxo Përnime”, ku tregoi se gjatë kontrolleve tatimore kanë hasur në këngëtarë me famë në Kosovë të cilët kanë paraqitur fatura se kanë kënduar me vetëm 500 euro.
“Kemi pa anomali, kemi pa këngëtarë të famshëm të estradës duke deklaruar se ka kënduar për vetëm 500 euro kur e dimë se në një mbrëmje të tillë këngëtarët përformojnë me çmime mbi 5,000 euro brenda nate. Pasi t’i analizojmë në tërësi do të paraqesim kallëzime penale ndaj atyre këngëtarëve që bëjnë shmangie tatimore” – tha Asllani në emision.
Gjatë pothuajse tërë vitit Inteligjenca Tatimore kishte grumbulluar informacione për pasurinë e këngëtarëve, veturat luksoze dhe listën e ndejave të cilat i kishin aranzhuar për periudhën verore.
Përpos këngëtarëve cak i hetimeve tatimore ishin edhe diskotekat, sallat e dasmave dhe DJ të famshëm.
Në këtë operacion tatimor ishin përfshirë mbi 100 zyrtarë të ATK-së.
Me një plan të detajuar kontrolli ku detyra morën hetues të ATK-së dhe zyrtarë të inteligjencës së këtij institucioni në cak ishin të gjitha diskotekat të cilat ndodhen në shtatë rajonet e Kosovës.
Qëllimi i kontrolleve ishte verifikimi dhe vlerësimi i deklarimeve tatimore nga ana e këngëtarëve dhe bizneseve si dhe kontrolli për punëtorë të padeklaruar, të cilët angazhohen gjatë verës nëpër ndeja verore.
Të dhënat e grumbulluara nga kjo Njësi tregojnë për shmangie dhe shkelje të mëdha tatimore të cilat dalin të jenë shokuese.
Këngëtarë me famë në Kosovë që ngasin vetura të shtrenjta dhe bëjnë jetë luksoze janë hasur në kontrollet e ATK-së duke kënduar për vetëm 500 euro.
Të gjitha këto informacione ishin mbledhur me qëllim të ballafaqimit të pasurisë së këngëtarëve me deklarimet e tyre tatimore në shtet.