Shkurtohet orari i punës në barnatore gjatë kohëzgjatjes së pandemisë

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, prej sot, e shtunë më datë 28.03.2020 orari i punës së barnatoreve gjatë kohëzgjatjes së pandemisë së shkaktuar nga coronavirusi nuk mund të fillojë para orës 06:00 dhe as të vazhdojë pas orës 17:00.

Këshutu ka njoftuar, Oda e Farmacistëve të Kosovës, bazuar në vendim të Qeverisë.

Ky vendim ka të bëjë me të gjitha barnatoret e Republikës së Kosovës në përjashtim të barnatoreve kujdestare.

Kurse, sipas OFK-së, barnatoret kujdestare do të caktohen si vijon:

– Në çdo vend ku ka barnatore, pas orës 17:00 mund të organizohet kujdestaria gjë e cila do të organizohet nga Ministria e Shëndetësisë/AKPPM në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve të Kosovës dhe komunat përkatëse/autoritetin lokal.

– Orari i punës gjatë kujdestarisë do të përputhet me masat tjera të cilat do të ndërrmeren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria.

– Për orarin e kujdestarisë do të dalim me një njoftim të dytë gjatë ditës.

“OFK falënderon Ministrinë e Shëndetësise dhe Qeverinë e Republikës së Kosoves për vendimin që edhe ishte kërkesë e dhjetëra farmacistëve për shkurtimin e orarit të punës si një nga masat e mbrojtjes së shëndetit publik”, thuhet në komunikatë.