Pritet të shkurtohen ditët e karantinimit dhe izolimit në Kosovë nga 14 në 10 ditë

Task-forca e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rekomanduar që të gjithë personat që kanë pasur kontakt me personat pozitivë me COVID-19 të karantinohen vetëm 10 ditë.

Po ashtu, 10 ditë do të izolohen të gjithë personat që pas testimit dalin pozitivë me COVID-19.

Një komunikim i IKShPK-së i dërguar për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, shtabeve komunale dhe Qendrave Rajonale të Shëndetësisë Publike, zbardh detajet mbi karantinën për personat pas kontaktit me persona të tjerë që rezultojnë pozitivë me COVID-19.

“10 ditë karantinim, përjashtim për personat që plotësojnë njërin nga kushtet në vijim: për personat 18 vjeç e sipër, nuk detyrohen të karantinohen nëse janë të vaksinuar me tri doza, për personat 12-17 vjeç, nuk detyrohen të karantinohen nëse janë të vaksinuar me dy doza”, thuhet në letrën e cila është siguruar nga KALLXO.com.

“Për personat që janë testuar pozitivë më shumë se 90 ditë përpara (çfarëdo moshe), nuk detyrohen të karantinohen nëse janë të vaksionuar me dy doza dhe për personat që janë testuar pozitivë brenda 90 ditëve të fundit, nuk detyrohen të karantinohen, edhe nëse s’janë të vaksionuar”, thuhet në e-mailin e dërguar nga MSh dhe IKShPK.

Po ashtu, për personat të cilët janë pozitivë pas testimit do të ketë 10 ditë izolim.

“Mund të shkurtohet në 7 ditë nëse testohet negativ dy herë me test PCR apo test të shpejtë. Testet duhet të kryhen ditën e 6-të dhe ditën e 7-të, me 24 orë ndërmjet testeve”, thuhet në vendim.

Masat e fundit janë miratuar nga Qeveria e Kosovës në fillim të muajit dhjetor.

Duke filluar nga 3 janari, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit për vaksinim të plotë (me dy doza) kundër COVID-19.

Një vendim i tillë ishtë marrë nga Qeveria e Kosovës më 1 dhjetor, kur edhe ishin miratuar masat anti-COVID-19.