Eksporti - Foto: REL/EPA

Shkurt, vetëm 16% ‘takati’ i eksportit vendas karshi importit nga jashtë

Përderisa deficiti tregtar është thelluar mbi 11 për qind, eksporti arriti t’i bëj ballë vetëm 16 për qind të importit nga jashtë.

Të dhënat e fundit nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë, bëjnë të ditur për një deficit tregtar më të lartë për 11.4 për qind në shkurtin e sivjetëm në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Shprehur në shifra, regjistrohet 253,3 milionë euro deficit tregtar në raport me 227,4 milionët e muajit shkurt të 2020-ës.

Eksporti i Kosovës në muaji shkurt arrin të mbuloj 16.0 për qind importin.

Në muajin shkurt u eksportuan mbi 48 milionë euro mallra e u importuan mbi 301 milionë sosh.

“Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2021 kishte vlerën 48,4 milionë euro, ndërsa importi 301,7 milionë euro, është një rritje prej (34.7%) për eksport si dhe (14.5%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 35.8 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 19.3 për qind artikuj të ndryshëm të prodhuar, 10.5 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 5.6 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.9 për qind tekstil dhe artikuj tekstili, 4.6 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 3.7 për qind produktet minerale, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import e përbëjnë: 12.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12.4 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 11.2 për qind produktet minerale, 9.9 për qind mjetet e transportit, 9.6 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre,  9.3 për qind produkte të industrisë kimike, 7.8 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, etj.

Tregtia me BE-në, Kosova bleu mallra në Gjermani e shiti në Itali

Eksportet e Kosovës në vendet e BEsë-27, arritën në 16,7 milionë euro, ose rreth 34.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 50.7 për qind.

Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë: Italia 14.5 për qind, Gjermania 6.6 për qind, Holanda 2.5 për qind, etj.

Në importin e 149 milionë eurove nga Bashkimi Europian, prinë Gjermania

“Importet e Kosovës nga vendet e BEsë-27 ishin rreth 149,0 milionë euro, ose (49.4%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (10.4%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14.7%), Italia (5.9%), Greqia (5.7%), Sllovenia (4.4%), etj.”, thotë raporti.

Në CEFTA, Kosova tregton më shumë me Shqipërinë dhe Serbinë   

Në muajin shkurt të sivjetmë, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 16,1 milionë euro, ose 33.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 10.7 për qind.

Shqipëria prinë me mbi 13 për qind në eksportin e Kosovës

“Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Shqipëria (13.5%), Maqedonia (10.1%), Serbia (5.0%), Mali i zi (2.7%)”, thotë ASK-ja.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së, arritën në 50.0 milionë euro, ose 16.6 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 74.2 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 6.1 për qind, Maqedonia 5.3 për qind dhe Shqipëria 3.7 për qind.

Tregtia e Kosovës në mes të Turqisë dhe ShBA-së

Në tregtinë me vende tjera të botës, Kosova qëndron në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Turqisë.

Eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 15,5 milionë euro, ose 32.0 për qind. Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën: SHBA 16.4 për qind dhe Zvicra 7.5 për qind.

Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 102,5 milionë euro, ose 34 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 12 për qind dhe Kina 9.0 për qind.