
Shkumbin Sekiraqa para Gjykatës më datë 10.9.2024
Shkumbin Sekiraqa dënohet me 4 vjet e 6 muaj burg
Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 4 vjet e 6 muaj burg, si dënim unik.
Shkumbin Sekiraqa, i cili akuzohej për tri vepra penale: “tentim vrasje”, “armëmbajtje pa leje” e “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka dalë para Gjykatës së Prishtinës për Aktgjykimin i cili do të shpallej ndaj tij.
Së bashku me të i akuzuar është edhe M.H. për dhënie të ndihmës Shkumbin Sekiraqës pas kryerjes së veprës penale.
Pra se t’i shqiptohej dënimi, Gjykata mori vendim që akuzën për veprën penale “tentim vrasje” ta rikualifikojë në “lëndim të lehtë trupor” dhe duke e dënuar me 4 vjet burg dhe me 1 vjet burg është dënuar për “armëmbajtje pa leje”. Dënimi unik ndaj Shkumbin Sekiraqës është 4 vjet e 6 muaj.
Gjykata e ka liruar nga akuza për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Kurse për të akuzuarin M.H., Gjykata mori vendim për ta liruar, pasi sipas Gjykatës nuk është provuar se i ka dhënë ndihmë të akuzuarit Sekiraqa pas kryerjes së veprës penale. Sipas Gjykatës, vetura të cilën Prokuroria pretendon se i akuzuari i dytë e ka fshehur, nuk ka qenë mjeti për kryerjen e veprës penale.
Gjyqtari Naser Foniqi e ka arsyetuar rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje në tentativë” “në lëndim të lehtë trupor”, me faktin se i akuzuari i ka pasur të gjitha mundësitë për ta privuar nga jeta, por nuk e ka bërë.
“Rikualifikimi, sepse ne kemi ardhur në përfundim se Sekiraqa i ka pasë të gjitha mundësitë me privu nga jeta, por nuk e ka bërë. Atë nuk e ka penguar asgjë që të shti në pjesë të tjera të trupit dhe me kondak e ka goditur në kokë. Për këtë e kemi bo rikualifikimin.” – tha gjyqtari Naser Foniqi.
Ky Vendim mund të apelohet nga palët.
Gjyqtari Naser Foniqi në seancën fillestare më 10.09.2024 kishte obliguar mediat që të mos i publikojnë emrin, mbiemrin dhe fotografinë e të akuzuarit të dytë, M.H.
“Kërkojmë nga të pranishmit në sallë, qoftë mediat, qoftë të tjerët që të akuzuarit M. H. të mos i përmendet emri. Avokati i ka arsyet e veta. Çdo personi që i ngritet një Aktakuzë vlen parimi i prezumimit të pafajësisë, kështu që të akuzuarit M.H. sipas kërkesës së mbrojtësit të tij mund t’i shënohen vetëm inicialet.” – kishte obliguar mediat gjyqtari Foniqi, më 10.09.2024.
I akuzuari M.H. nuk e kishte pranuar fajësinë, po ashtu Shkumbin Sekiraqa i akuzuar për tri vepra penale nuk e kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 10.09.2024.
Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.
“Rreth orës 10:00 në rrugën ‘Bedri Shala’ në Prishtinë derisa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit ‘Audi’, pronë e të pandehurit tjetër M.H. ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një ‘Pickup’, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje, me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalë ‘Paja shoq, a po më njeh mua?’, ku më pas e sulmojnë fizikisht.” – përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.
Dosja e Prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë. I dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. I pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuajë në drejtim të tij.” – përshkruhet tutje në Aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.
Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa – sipas Prokurorisë – ka kryer veprat penale: “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Shkumbin Sekiraqa në Polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.
“Çka kam thënë në Polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj. Tani nuk dua të deklarohem më. Në Polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi.” – thuhet tutje në Dosjen e Prokurorisë.
E, Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.
“Ka ardhur një person me veturë të kuqe. Personi më është afru dhe më ka thënë ‘Pse po më këqyr?’. Ka filluar të më shajë me fjalë banale ‘Çka k… po më këqyr?’. I kam thënë ‘Nuk jam ka të këqyri o vëlla, po shko rrugës tande’. Ai më ka thënë: ‘Je kah më këqyr shtremtë’. Pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë. Vetura e ka pasë derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbante derën çel. Mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë veturën, ka dalë nga vetura, është nis në drejtim të tij, nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë.” – ka shpjeguar Pajtim Gashi në Prokurori ngjarjen e marsit 2024.
Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.
“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh, nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në Polici nuk ka arritur që ta identifikojë Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi.” – thuhet tutje në Dosje.
Si i bashkakuzuar në këtë rast është edhe M.H., i cili ngarkohet se i ka dhënë ndihmë Shkumbin Sekiraqës, pasi është kryer vepra penale – duke e fshehur në garazhin e tij veturën “Audi A7” e që në deklaratën e dhënë në Polici kishte thënë se të njëjtën veturë e ka shitur.
Ky rast del të jetë si fillesë e problemit mes familjeve Gashi e Sekiraqa, pasi më 01.09.2024 kishte pasur shkëmbim me armë zjarri mes disa personave, ku një person kishte ndërruar jetë e 5 të tjerë kishin mbetur të plagosur.
Si i plagosur në rastin e datës 01.09.2024 është edhe babai i Shkumbin Sekiraqës, Salih Sekiraqa.
Raportimet e KALLXO.com: LINK