Shkumbin Sekiraqa del para gjykatës me jelek anti-plumb, deklarohet i pafajshëm për plagosjen në mars 2024
Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, i akuzuar për tentim-vrasje, armëmbajtje pa leje e shkaktim i rrezikut të përgjithshëm është sjellë sot më 10.09.2024 para gjykatës për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të 2024.
I akuzuari Shkumbin Sekiraqa nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale që prokuroria ja vë në barrë.
Ai u deklaru i pafajshëm për tri veprat penale.
Në gjykatë, Shkumbin Sekiraqa u paraqit me jelek anti – plumb.
Në konfliktin që kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2024, Pajtim Gashi kishte mbetur i plagosur ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Shkumbin Sekiraqa. Ky i fundit tashmë ka një aktakuzë e cila është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28.08.2024.
Dy familje, Sekiraqa e Gashi po dyshohet se u përfshinë në ngjarjen e cila u regjistrua rreth orës 22:00 më 01.09.2024, në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash në Prishtinë, ngjarje në të cilën një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë u plagosën.
Siç e ka konfirmuar për KALLXO.com kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ngjarja dyshohet se është vazhdimësi e konfliktit që ka ndodhur në muajin mars.
Shkumbin Sekiraqa, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për rastin e muajit mars 2024 është djali i Salih Sekiraqës. Ky i fundit është njëri nga personat e plagosur në gjuajtjet me armë në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë më 01.09.2024.
Për Shkumbin Sekiraqën prokuroria kishte kërkuar që t’i vazhdohej masa e paraburgimit deri sa është ngritur edhe aktakuza ndaj tij.
Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.
“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizste me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalt “paja shoq a po më njeh mu” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.
Dosja e prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondakt të armës.