Ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare. Foto: KALLXO.com

Shkrimtari Adem Gashi shpallet fitues i çmimit kombëtar letrar "Azem Shkreli"

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot çmimet kombëtare dhe ato vjetore për letërsinë, për vitin 2021.

Shkrimtari Adem Gashi është shpallur fitues i çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Azem Shkreli”, për 2021.

Juria në përbërje të Agim Vincës, Majlinda Bregasit, Ag Apollonit, Ervina Halilit dhe Isak Shemës ka ndarë edhe çmimet vjetore për letërsinë.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë, “Anton Pashku” iu dha Mehmet Krajës për romanin “Liria ime”. Çmimin për veprën më të mirë në poezi, “Ali Podrimja” e mori  Xhevdet Bajraj për librin “Burri që lozte me engjëjt”. Ndërkaq, çmimi për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj, “Vehbi Kikaj” iu dha Shaip Grabovcit për dramën për fëmijë, “Zëra nga Vitrina”.

Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë, “Ibrahim Rugova” shkoi për Blerina Rogova-Gaxhës  për studimin “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”. Kurse, çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe, “Pjetër Bogdani” e mori Col Mehmetaj për përkthimin e veprës “Meditime” të Mark Aurelit.

Duke arsyetuar vendimi jurisë për ndarjen e çmimeve, kryetari i jurisë përzgjedhëse Agim Vinca ka thënë se vendimet janë marrë në pajtueshmëri të plotë.

“Vendimet rreth përzgjedhjes së fituesve janë marrë në dakordim të plotë nga juria , me përjashtim të një çmimi që është marrë me shumicë vota”, ka thënë profesor Vinca.

 Fituesi e këtyre çmimeve përveç dekoratave, marrinë dhe shpërblim financiare. Fituesi i çmimit “Azem Shkreli” merr 5 000 euro, ndërsa fituesit e çmimeve tjera marrin nga 2 500 euro.

 

Ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare. Foto: KALLXO.com