Shkon në gjashtë numri i të arrestuarve që gjuajtën me armë në ndejën ku ishte edhe Nasim Haradinaj

Gjashtë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar nga policia në një aksion që zgjati tre ditë nga policia në Rajonin e Prizrenit.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com kishte raportuar ditën e premte të javës së kaluar, ku në bazë të disa video-incizimeve ishte parë se në një ndejë të organizuar në fshatin Restelicë kishte pasur edhe të shtëna armësh ndërsa prezent ishte edhe Sekretari Organizativ i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Në një njoftim, Policia e Rajonit të Prizrenit ka thënë se pas pranimit të informacionit përmes rrjeteve sociale dhe mediumeve për një video të shpërndare me datë 20 gusht 2020 në fshatin Restelicë, në Komunën e Dragashit, ku shihen persona duke gjuajtur me armë zjarri, policia rajonale në Prizren përkatësisht njësiti i hetimeve, duke ndërmarrë veprime policore fillimisht ka identifikuar lokacionin dhe personat e dyshimtë dhe me autorizimin e Prokurorit të Shtetit ka ndërmarre masat e menjëhershme.

“Policia rajonale në Prizren në aktivitetin e saj ka ushtruar urdhër kontrollë dhe ka ndaluar personat e dyshimtë duke filluar për tri ditë radhazi nga data 29 Gusht, 30 dhe sot me datë 31 Gusht 2020 dhe ka kryer bastisje në fshatrat Restelicë, fshatin Mohlan në Suharekë, fshatin Dragobil në Malishëve, në lagjen Arbana në Prizren dhe në fshatin Kuk në Dragash”, thuhet në njoftimin e Policisë së Prizrenit.

Gjatë aksionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar, tre revole, dy armë gjuetie, 22 gëzhoja të shkrepura, 150 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

“Të dyshimtit e ndaluar janë, A.B i lindur në vitin 1982, F.H i lindur në vitin 1987, G.B i lindur në vitin 1979, F.H i lindur në vitin 1981, Sh.O i lindur në vitin 1965 dhe A.P i lindur në vitin 1981. Të gjithë personat e dyshimtë janë shtetas të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit të dyshimtit janë ndaluar në afat prej 48 orë, ndërsa me rastin po merren hetimet rajonale në Prizren.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar sekretarin e Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili nuk e ka mohuar pjesëmarrjen në ndejë, por ka thënë se nuk ka pasur gjuajtje me armë, anipse pamjet e publikuara nga KALLXO.com tregonin diçka tjetër.

Tre të arrestuar për të shtënat me armë në ndejën ku ishte edhe Nasim Haradinaj