Foto: Gent Shkullaku/ LSA

Shkon në 25 numri i viktimave nga coronavirusi në Shqipëri

Në 24 orët e fundit në Shqipëri u zbuluan 19 raste të reja me COVID-19, pjesa më e madhe e të cilave në Tiranë dhe në Kukës.

Ndërsa numri total i të infektuarve shkoi në 494, Ministria e Shëndetësisë thotë se situata është nën kontroll, raporton Reporter.al.

Kurba e rasteve të reja u dyfishua sërish të mërkurën, ndërsa vdekja e një pacienti në spitalin Infektiv në Tiranë e çoi numrin e viktimave të COVID-19 në Shqipëri në 25.

Zv.ministja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi për mediat se në 24 orët e fundit ishin testuar 252 persona të dyshuar, nga të cilët 19 rezultuan pozitivë me COVID-19; një rritje e konsiderueshme krahasuar me 8 rastet e reja të një dite më parë.

Numri total i personave të infektuar që nga fillimi i epidemisë u rrit në 494. Megjithatë, autoritetet e konsiderojnë situatën nën kontroll.

“Edhe pse sot janë 19 raste të reja, kurba e përhapjes së sëmundjes vazhdon të mbetet e qëndrueshme dhe situata është nën kontroll,” tha Rakacolli të mërkurën.

Numri më i lartë i rasteve të reja u zbulua në Tiranë me 11 persona të infektuar dhe më pas në Kukës me pesë persona. Harta e infeksionit u zgjerua edhe në Krujë, Korçë dhe Elbasan ku u zbulua respektivisht nga 1 rast i ri me COVID-19.

Një 90-vjeçar humbi betejën me sëmundjen mëngjesin e së mërkurës në spitalin Infektiv në Tiranë. Sipas Rakacollit, i ndjeri vuante edhe nga sëmundjet shoqëruese të diabetit, astmës bronkiale dhe hipertensionit dhe ndodhej prej 11 ditësh i intubuar.

Nga fillimi i epidemisë kanë humbur jetën 25 persona, me një normë vdekshmërie prej 5%. Ndërkohë, numri i të shëruarve shkoi në 251 persona të mërkurën; gjysma e të gjithë personave të prekur nga epidemia.

Mes personave të infektuar, 48 pacientë janë duke marrë trajtim mjekësor në spitalin Infektiv në Tiranë dhe në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”, i kthyer në COVID 2. Dymbëdhjetë prej pacientëve ndodhen në terapi intensive, katër prej të cilëve në gjendje më të rëndë dhe të intubuar.

Tirana vazhdon të mbetet vatra më e madhe e infeksionit në Shqipëri me 238 raste ose 48% të totalit të personave të infektuar, e ndjekur nga Shkodra me 71 raste dhe Durrësi me 42 raste. Në vatrën më të re të Kukësit, brenda dy ditësh u identifikuan 6 raste, mes të cilëve edhe një infermier i spitalit të qytetit.

Ministria e Shëndetësisë përsëriti apelin për qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat e distancimit social.

“Në kushtet e lehtësimit të masave shtrënguese, kërkohet përgjegjshmëri shumë më e madhe për të respektuar distancat dhe masat e higjienës personale,” tha Rakacolli në deklaratën për mediat./Reporter.al