Shkon në 23 numri i viktimave nga zjarret në Australi

 

Dy viktima të reja në Ishullin e Kangurit të Australisë Jugore e kanë çuar në 23 numrin e përgjithshëm të personave të vdekur nga zjarret në kontinentin e largët. Përpos tyre, gjashtë persona të tjerë janë zhdukur.

Kryeministri australian, Scott Morrison, njoftoi të shtunën se qeveria e tij do ta përdorë luftanijen më të madhe që e ka vendi, “HMAS Adelaide”, për t’i evakuuar njerëzit e bllokuar në zonat bregdetare të Victoria-s, do t’i angazhojë tre mijë ushtarët rezervë për t’i shuar zjarret dhe do t’i dhurojë 20 milionë dollarë për katër aeroplanë për hedhje të ujit.

Shefi i qeverisë australiane është kritikuar vazhdimisht për mungesën e masave kundër zjarreve në natyrë, disa prej të cilave kishin filluar që nga muaji shtator, dhe për politikat klimatike kundër ngrohjes globale.

Të ndikuara nga erërat e fuqishme, temperaturat mbi 40 gradë dhe thatësia, disa nga 200 zjarret aktive janë duke u përhapur aq shumë, saqë i kanë krijuar sistemet e veta të motit, duke nxitur vetëtima dhe zjarre të reja, shkruan “The Guardian”.

Trupat e pajetë të dy personave, të identifikuar si Dick Lang, 78 vjeç, dhe të birit të tij, Clayton, 43 vjeç, u gjetën brenda një veture të djegur në Ishullin e Kangurit. Duket se vetura e tyre ishte kapluar nga zjarri përderisa po përpiqeshin të iknin nga flakët./RTK