Foto: DW Shqip, Facebook
Shkon në 16 numri i të vdekurve nga vërshimet në Europën Qendrore
Reshjet jashtëzakonisht të dendura që kanë përfshirë Europën Qendrore kanë shkaktuar vërshime vdekjeprurëse në rajon. Përmbytjet kanë përfshirë zona të mëdha të Austrisë, Çekisë, Polonisë dhe Rumanisë, derisa presioni i ulët që ka përfshirë rajonin ka shkaktuar reshje rekorde për ditë të tëra, dhe pritet të prekin edhe Sllovakinë dhe Hungarinë në pjesën e dytë të javës.
Deri tani është raportuar për 16 të vdekur nga reshjet në mbarë rajonin – shtatë në Rumani, pesë në Poloni, tre në Çeki dhe një Austri, raporton AP..
Në Poloni, kryeministri Donald Tusk ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm dhe më vonë ka shpallur gjendje katastrofe në rajonet e prekura. Me këtë masë, qeveria polake synon të mobilizojë kapacitetet dhe ekipet e ndihmës. Tusk ka thënë se qeveria e tij do të ndajë 258 mijë dollarë për t’i ndihmuar menjëherë familjet e viktimave.
Vërshimet në Poloni kanë çarë digat, me ujërat e rrëmbyer që kanë sjellë mbetje dhe baltë. Një spital në qytetin lindor polak Nysa është detyruar t’i evakuonte rreth 40 pacientë.
Shkollat dhe zyrat në zonat e prekura janë detyruar të mbyllen të hënën, derisa ushqimi dhe uji i pijshëm u është dërguar banorëve me kamionë. Shumë qytete polake, përfshirë kryeqytetin Varshavë, kanë bërë thirrje për donacion ushqimesh për të mbijetuarit e prekur nga vërshimet.
Policia çeke ka njoftuar se një grua dhe dy burra ishin fundosur në zonën verilindore të prekur nga reshjet e dendura. Gruaja ishte gjetur në ujë në Krasov, derisa dy burrat ishin gjetur në dy lokacione të tjera pas tërheqjes së ujit nga qyteza Krnov, që të dielën ishte pothuajse tërësisht e fundosur.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com