Shkon në 1500 numri i pacientëve të helmuar në Deçan

Drejtori i Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha ka bërë të ditur se numri i pacientëve që dyshohet se janë helmuar nga uji, ka arritur në 1500.

“Numri i pacientëve deri më tani mund të them se është diku 1500 prej ditës që ka fillu” ka thënë Berisha të martën gjatë një konference për media.

Sipas Berishës, 99 për qind e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë, kanë marrë shërbimet adekuate në këtë qendër mjekësore.

“Gjendja e pacientëve nuk paraqet ndonjë shqetësim të madh, përpos fluksit të madh” ka shtuar Berisha.

Po ashtu, Drejtori i QKMF-së njoftoi se vetëm 24 pacientë janë referuar për në Spitalin e Pejës.

Dyshimet për helmim nga uji kanë filluar të dielën kur në QKMF në Deçan kërkuan ndihmë 164 qytetarë. Mirëpo, gjatë ditës së sotme Naser Ramadani, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) ka thënë se deri më tani rezultatet laboratorike nuk thonë se ka helmim uji.

Kujtojmë që Komuna e Deçanit, e udhëhequr nga Bashkim Ramosaj kanë shpallur gjendje emergjente.

Naser Ramadani thotë se nuk ka rezultuar që uji në Deçan është i helmuar

www.kallxom.com