Shkon deri në 1.79 euro çmimi i naftës në Kosovë

Ka arritur deri në 1.79 euro çmimi i litrës së naftës pasditen e sotme me 7 qershor, në Kosovë.

KALLXO.com ka vizituar disa pika të karburanteve nëpër Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku çmimi maksimal i naftës ka qenë 1.79 euro për litër.

Përveç rritjes së çmimit të naftës, është vërejtur edhe rritje e çmimit të benzinës, ku nëpër disa pika të karburanteve, çmimi ka arritur deri në 1.80 euro për litër.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë kryetarin e Shoqatës së Naftëtarve në Kosovë, Fadil Berjanin, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Në ndërkohë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se sot qytetari i Kosovës paguan çmimin e njejtë të naftës, sikurse qytetarët e Bashkimit Evropian.

Ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’ duke përmendur edhe rritjen e çmimeve të produkteve elementare, ka kritkikuar Qeverinë e Albin Kurtit.

“Sot, qytetari i Kosovës paguan një litër naftë pothuajse me çmim të njëjtë sikurse një qytetar i Bashkimit Evropian por me të ardhura shumëfish më të ulëta. Rritja e çmimeve të produkteve elemalentare po e vështirëson tejmase jetën e qytetarit të Kosovës.Qeveria Kurti, a jeni në Kosovë, a krejt jeni dale”, ka shkruar Tahiri.

Kryesisht, rritja e çmimit të derivateve të naftës nëpër tregjet globale ka filluar pas invazionit të Ukrainës, nga Rusia, ndërsa rritja është ndjerë edhe në Kosovë.

Ngjashëm, kishte rritje edhe në fillim të muajit maj të këtij viti. Në atë kohë, në një deklaratë për KALLXO.com, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, kishte thënë se çmimin e përcaktojnë kompanitë individualisht.

Rritet përsëri çmimi i naftës, një litër deri në 1 euro e 73 cent