Shkollat në komunat me shumicë serbe nuk i binden vendimit të qeverisë për coronavirusin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë një reagim ndaj komunave me shumicë Serbe të cilat nuk po e zbatojnë vendimin e djeshëm për pezullimin e mësimit deri më 27 mars 2020 për shkak të coronavirusit (COVID – 19).

“Sipas informacioneve të pranuara deri tani, MAShTI është njoftuar se në disa Komuna të Kosovës të banuara me popullatë shumicë serbe, vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës nuk është duke u respektuar”, thuhet në reagimin e bërë nga MAShTI.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të zbatohet vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës.

“MAShTI u bën thirrje të gjitha drejtorive për arsim në këto komuna që të marrin masa të menjëhershme që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet konform vendimit të Qeverisë”, thuhet tutje në reagim.

Sot Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, në një takim koordinues me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, për të ndërmarrë të gjitha veprimet që kanë dalë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat parandaluese të Corona Virus COVID-19.

Ministri Veliu ka kërkuar që të gjitha shkollat që punojnë me plan-program të Serbisë në Kosovë të mbyllen sipas vendimit të djeshëm të qeverisë.

“Më këtë rast ministri Veliu ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas këtij vendimi, dhe ka kërkuar në veçanti që të gjitha shkollat që veprojnë në veri të Kosovës dhe që punojnë me plan-programe të Serbisë të mbyllen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.