Foto: Atdhe Mulla

Shkollat e Prishtinës kompensojnë orët e grevës me orën e 7-të

Komuna e Prishtinës ka filluar që të gjejë mënyrën se si t’i kompensojë orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Shpresa Shala tha se tashmë ka disa ditë që shkollat e kryeqytetit janë duke e mbajtur orën e shtatë për t’i zëvendësuar orët.

“Para se të merret vendim, ne kemi filluar me mbajtjen e një ore më tepër në shkolla, në një far mënyre me mbajt bilancin mes mësimdhënësve sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit. Ne para se me u marrë  vendimi e kemi dërguar nëpër shkolla një urdhëresë që të mbahet ora e 7-të. Me të thënë të drejtën deri diku ose nga raportet që i kemi deri në 130 orë janë mbajtë nëpër shkolla”, tha Shala për KALLXO.com.

Ajo shtoi se në maj presin që të vendosim si t’ia bëjnë për formën më konkrete.

“Sepse edhe ligji nuk na lejon me i shkurtu orët më shumë se 40 minuta dhe është goxha problematike por disa aktivitete që kanë qenë të planifikuara jo krose, dita të shkollave me mujt mi evitu dhe po mundohemi. Megjithatë nuk do të jetë efekti i njëjtë dhe në këtë kohë jemi duke ju kushtuar klasave të 9-ta dhe klasave të 12-ta që kanë me hy në testim”, tha Shala.

Komuna e Obiliqit ishte e para që kishte vendosur për formën e kompensimit të orëve të humbura, duke vendosur që ato të kompensohen të shtunave dhe po ashtu në ditët e fesatve zyrtare. 

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur me 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

E për  këtë Këshilli i Prindërve është shprehur skeptik për aftësinë e DKA-ve për kompensimin e tyre.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit