Shkollat e Lipjanit kanë 13 nxënës me nevoja të veçanta, mirëpo ende asnjë asistent për ta

Nga gjithsej 12 mijë e 127 nxënës që kanë shkollat e Komunës së Lipjanit, 13 nga ta janë me nevoja të veçanta.

Mirëpo, për këta të fundit ende nuk është as edhe një asistent ndihmës që të përkujdeset për ta.

Sipas broshurës “Mbështetja për Reformën e Arsimit Gjithëpërfshirës 2015”  MASHTI nga viti 2009 ka përfshirë edhe disa profile të reja të personelit profesional për arsimin e fëmijëve\nxënësve me nevoja të veçanta arsimore, të cilët e kanë rolin e mbështetjes profesionale dhe asistencës nëpër institucione parashkollore dhe shkolla.

Mirëpo, edhe pse në 2022, Lipjanit dhe shkollave të kësaj komune i mungon një profil i tillë.

“Jo, nuk ka”, ka qenë përgjigja e shkurtër që ka marr KALLXO.com nga Komuna e Lipjanit kur janë pyetur nëse për 13 nxënësit me nevoja të veçanta ka asistentë.

Puna e Ministrisë së Arsimit në këtë çështje

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në prill të 2021 kishte premtuar që nga shtatori i vitit të kaluar të fillojnë punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në shkollat e Kosovës.

Ajo në emisionin “KallxoPernime” kishte thënë se kjo çështje është e planifikuar edhe në buxhet.

“Që nga shtatori do të fillojë punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, duke përfshirë psikologë, pedagogë dhe logopedë. Tashmë e kemi planifikuar dhe e kemi buxhetuar sa do të kushtojë dhe është një prej politikave tona”, ishte shprehur Nagavci.

Tutje ajo në nëntor të 2021 kishte thënë se buxheti për punësim të asistentëve është siguruar.

“Për vitin tjetër kemi siguruar buxhet për punësimin e 100 personave që punojnë me fëmijë me nevoja të veçanta”, kishte thënë ajo.

Një proces i tillë siç duket është shtyrë për muajin në të cilin jemi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e MASHTI-it, Iliriana Pylla ka thënë se komunat nga muaji janar i 2022-ës duhet të fillojnë procedurat e punësimin e këtyre asistentëve.

“Nga muaji janar 2022, komunat duhet të fillojnë procedurat e punësimit të asistentëve të parapara me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Tutje nga MASHT është thënë se jo të gjithë nxënëseve me nevoja të veçanta iu nevojitet ndihma e asistentëve.

“Vendimin se cili fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta duhet të ketë asistent e vendos ekipi vlerësues pedagogjik në komunë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së ministrisë.

Në po të njëjtat përgjigje të kësaj ministrie është thënë se një vlerësim i tillë bëhet që asistentet të jepen vetëm për fëmijë që me të vërtetë kanë nevojë të kenë një asistent të tillë.

“Asistenti sa ka ndikim pozitiv aq mund të ketë dhe efekt negativ, sepse shkakton varësi te fëmija i cili ka mundësi të zhvillohet edhe si i pavarur dhe fëmija të fitojë sa më shumë autonomi dhe të aftësohet për jetë”, ka thënë Pylla për KALLXO.com.

Si është gjendja në Komunën e Lipjanit?

Komuna e Lipjanit sipas zëdhënëses Hyra Bytyçi ka gjithsej 28 shkolla të të gjitha niveleve.

Në këto shkolla janë më shumë se 12 mijë nxënës që arsimohen, nga këta nxënës 13 janë me nevoja të veçanta.

Gjithmonë duke iu referuar përgjigjeve të Bytyçit në Komunën e Lipjanit është duke vazhduar vlerësimi i evidentimit të fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Bazuar në punën e deritanishme të komisionit për vlerësimin e nxënëseve me nevoja të veçanta janë evidentuar gjithsejtë 13 nxënës. Mirëpo vazhdon të bëhet vlerësimi edhe i një numri të konsiderueshëm të nxënësve nga të gjitha nivelet”, ka thënë Bytyçi për KALLXO.com.

Sipas kësaj të fundit Komuna e Lipjanit, përkatësisht Drejtoria e Arsimit është në procedura të rekrutimit të një numri të caktuar për asistentë nga MASHT.

Kjo komunë nuk ballafaqohet vetëm me këtë problem.

Nga shifra e përgjithshme e nxënëseve, ku 5 mijë e më shumë nxënës vijojnë mësimin në shkollat e qytetit që së bashku me çerdhe janë pesë dhe afër 7 mijë nxënës që vijojnë mësimin në 23 shkollat e fshatrave të këtij qyteti, ka raste kur klasat janë të mbingarkuara.

Një gjë e tillë nuk mohohet nga Komuna e Lipjanit.

“Sikurse në gjithë vendin tonë edhe shkollat e qytetit dhe gjimnazit janë të mbingarkuara, mirëpo ne vazhdimisht marrim masa duke rritur numrin e paraleleve sipas nevojës”, ka përfunduar Bytyçi.

shtator të vitit të kaluar grupi avokues për fëmijëve me nevoja të veçanta ‘’Hëna’’ në mbështetje të organizatës ‘Save the Children, kishte lansuar kampanjën “Pa asistent unë jam jashtë shkollës”.

Kjo kampanjë kishte për qëllim ndërgjegjësimin dhe lobimin ndaj institucioneve që secili nxënës me nevoja të veçanta të ketë mbështetjen e asistentit në shkollë.

Asokohe, sipas organizatës “HANDIKOS” situata me pandeminë e kishte rënduar edhe më tepër përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në mësim me sfida të shumta të cilat në kuadër të kampanjës janë identifikuar gjatë takimeve me prindër, siç janë: Mos arritja e objektivave të planit individual të fëmijës në mungesë të një mbështetjeje individuale për fëmijën; rënia e motivimit; mos ndjekja e mësimit online për shkak të natyrës grupore të zhvillimit të mësimeve si dhe regres në arritjet mësimore pikërisht për shkak të arsyeve të mësipërme.