Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

Shkollat e Fushë Kosovës nuk e përfillin kërkesën e SBAShK-ut, mbajnë mësim

Edhe pse në disa qytete të Kosovës shkollat nuk kanë punuar sot për shkak të kërkesës së SBAShK, në shkollat e Fushë Kosovë sot është zhvilluar mësim.

Kështu ka thënë për KALLXO.com drejtori i Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani.

“Ne kemi mësim në të gjitha shkollat e Fushë Kosovës dhe asnjë prej tyre nuk e kanë zbatuar kërkesën e SBAShK. Të gjitha shkollat janë duke raportu sot se ka mësim”, tha Shabani.

 KALLXO.com më herët raportoi se në Pejë 12 shkolla nuk janë duke mbajtur mësim sot si dhe në Gjilan pjesërisht.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje shkollave që të mbajnë mësim.

Kurse, kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj ka deklaruar  se 90 për qind e shkollave të Kosovës i janë bindur thirrjeve të tyre që dita e hënë të jetë ditë pushimi, për nder të festës së 28-nëntorit.

Qeveria e Kosovës, më 27 nëntor kishte bërë të ditur se dita e hënë, 30 nëntor 2020, do të jetë ditë e rregullt e punës.

Për këtë vendim, kryeministri, Avdullah Hoti u kritikua sot nga deputetët e opozitës.

Por, ai tha se se deputetët e kanë ftuar në raportim me datën 30 dhjetor dhe se ka zbatuar agjendën zyrtare të trashëguar.

Kryeministri Hoti i përgjigjet Ganimete Musliut për 28 Nëntorin

.