Shkollat e Ferizajt të gatshme për vitin e ri shkollor, prindërit ndihmuan në ngjyrosje

Të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt janë të gatshme për të filluar mësimin.

Komuna e Ferizajt përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka pasur edhe angazhime vullnetare nga prindërit për përgatitjen e shkollave.

“Shkollat e Ferizajt, gati për të nisur procesin mësimor, aq më tepër me punën e tërë stafit menaxhues e mësimor në shkolla si dhe angazhimet vullnetare nga prindër si në shkollën “Ahmet Hoxha” që ndihmuan në ngjyrosje, shembuj të cilat duhet të ndiqen e duartrokiten”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar se edhe shkollat e Prishtinës janë të gatshme për fillimin e procesit mësimor.

14 shtatori është data përfundimtare që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka përmendur për fillimin e vitit të ri shkollor, por ende nuk është marrë një vendim nga Ministria.

Sipas propozimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, më 14 shtator është paraparë të fillojnë mësimin klasat  0-6 dhe klasa e 10, kurse për klasat 4 dhe 5 që fillojnë po ashtu më 14 shtator, u është lënë drejtorive komunale të vendosin se në çfarë forme do të zhvillojnë mësimin në shkolla apo nga distanca.

Ndërsa, në fazën e dytë më 21 shtator, mësimin do ta fillojnë klasat 7-12 në formë të kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tri ditë nga distanca.

Dje, edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve nga terreni të gjitha shkollat kanë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e mësimit.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.Po ashtu, Ministria e Arsimit ka paraparë edhe testimin e 1500 mësimdhënësve për COVID-19, para se të fillojë mësimi.

Dezinfektues, distancë dhe higjienë të shtuar, shkollat e Prishtinës përgatiten për fillimin e vitit shkollor

.