Shkolla 'Skënder Kastrati' në Malësi të Vogël - Rahovec, pa ngrohje

Tash e dy javë nxënësit e shkollës fillore “Skender Katrati” në fshatin Malësi e Vogël – Rahovec, janë duke vijuar mësimin me kapacitete të kufizuara të ngrohjes.

Mundësia për ngrohje vetëm nga dy deri në tri orë në ditë është bërë për shkak të mungesë së furnizimit me dru.

Leonard Morina, i cili ka ushtruar detyrën e drejtorit deri më 1 dhjetor ka thënë për KALLXO.com se deri dje janë ngrohur me drunjë të cilët kanë mbetur nga viti i kaluar.

“Për shkak të mungesës së drunjëve ngrohja është bërë në mënyrë të kufizuar”, ka thënë Morina.

Në anën tjetër, Afrim Morina, drejtor i Arsimit në komunën e Rahovecit ka konfirmuar për KALLXO.com se ka mungesë të drunjëve dhe se pritet që gjatë ditës së sotme ose nesër që shkolla të pajiset me drunjë.

“Ka pas mungesë, ne e kemi dërguar një sasi më herët, mirëpo ka qenë e pamjaftueshme ajo, po besoj që gjatë ditës vjen një kamion. Kam bisedu me operatorin dhe besoj që gjatë ditës ose nesër e dërgojmë një kamion aty”, ka thënë Drejtori i Arsimit.