Ilustrim

Shkolla 'Selami Hallaçi' në Gjilan që nga e premtja pa rrymë

Shkolla fillore ‘Selami Hallaçi’ në Gjilan që nga dita e premtja e javës së kaluar është pa energji elektrike.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i kësaj shkolle, Florim Maloku. Sipas Malokut, Komuna e Gjilanit nuk i ka kryer obligimet ndaj KEDS-it dhe kjo e fundit ka ndërprerë energjinë elektrike për shkollën.

“Nga dita e premte s’kemi rrymë. Jo që s’e kemi paguar ne por komuna si ka kryer obligimet, Drejtoria e Financave në dhjetor, ne i kemi kry ata se kanë bë plan edhe kanë mbetur borxh diku 4 mijë e 700 euro, por ato para i ka tërheq thesari si tepricë, apo çka po di unë dhe na kanë hendikepu dhe KEDS e ka ndërpre rrymën”, tha ai.

Ai shtoi se komuna u ka premtuar se do ta paguajnë rrymën për ta.

“Ne jemi takuar me Drejtorinë e Arsimit dhe kanë mbetur me i pagu vetë sepse është faji i komunës, jemi duke pritur këto 2 ditë ndoshta na lëshojnë”, tha më tej Maloku.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Selvete Sylejmani dhe është duke pritur përgjigje.