Shkolla në fshatin Prapaqan të Deçanit në renovim që nga fillimi i shtatorit

Nxënësit e shkollës ‘Jusuf Gërvalla” në fshatin Prapaqan të Deçanit që nga shtatori i këtij viti nuk po vijojnë mësimin në shkollën e tyre.

Kjo ka ndodhur për shkak se shkolla e tyre ka filluar të rinovohet.

Drejtori i kësaj shkolle, Avdyl Shala ka treguar për KALLXO.com se në çfarë objekti po vijojnë nxënësit mësimin deri në renovimin e shkollës së tyre.

“Nxënësit po shfrytëzojnë paralelen e ndarë në Dubovik, ku janë bërë dy ndërrime, dhe po ashtu një aneks i cili ndodhet në oborrin e shkollës sonë”, ka thënë Shala.

Ai tutje ka shtuar se renovimi i kësaj shkollë po ecën shumë ngadalë.

“Mësimi është duke u vijuar por që procesi i renovimit po bëhet shumë ngadalë”, ka thënë Shala.

Ai tutje ka shtuar se në këto objekte ku po mbahet mësimit, kushtet janë të mira, dhe se ka ngrohje.

Në lidhje me renovimin e shkollës në fshatin Prapaqan të Deçanit, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Deçan, Bekim Vishaj, i cili ka treguar se pse është vonuar ky renovim i shkollës.

“Renovimi ka filluar në shtator, janë vonuar procedurat nga Ministria e Arsimit, por po shpresojmë që në dhjetor të përfundoj”, ka thënë Vishaj.

Ai tutje ka folur edhe për kushtet në objektet ku nxënësi po mbajnë mësimin.

“Kushtet ku tani po zhvillohet mësimi janë më të mira se në shkollën e pa rinovuar. Kushtet në shkollë kanë qenë jashtëzakonisht të këqija, ka thënë drejtori.

Ai tutje ka shtuar se për këtë renovim të shkollës është ndarë buxhet prej më shumë se 280 euro.

KALLXO.com ka kërkuar informata shtesë edhe nga Ministria e Arsimit për këtë renovim, dhe po pret përgjigje për arsyet e vonesës së renovimit.