Shkolla "Model-Qamil Batalli" fillon mësimin tërëditor
Shkolla “Model-Qamil Batalli” është një nga shkollat e Prishtinës e cila ka filluar me implementimin e mësimit tërëditor.
Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu, kanë vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Model-Qamil Batalli”.
Mësimi tërëditor në Kryeqytet vlen për nxënësit e klasave 1 – 5 dhe do të realizohet në pesë shkolla të Kryeqytetit.
Mësimi tërëditor i nxënësve të klasave 1 – 5 fillon në ora 07:45 deri rreth orës 15:00. Gjatë kësaj kohe, nxënësit kanë një shujtë të drekës, e cila është e financuar nga Kryeqyteti.
Kryetari Rama mësimin tërëditor e quajti “proces transformues”.
“Nxënësit do të jenë një periudhë më të gjatë kohore në shkollë, pra përveç që mësojnë iu ofrojnë edhe kushte më të mira pirndërve që munden me shku në punë edhe mas anej derisa kthehen prej punës fëmijët janë në institucionin shkollor ku edhe kanë mundësi për mësim edhe për socializim shtesë” – tha Rama.
Rama u ka uruar vit të mbarë shkollor të gjithë nxënësve të Kryeqytetit.
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se për gjashtë muaj janë përgatitur për mësimin tërëditor, duke investuar në shkolla, klasa dhe pajisje të klasave.
“Këtë arritje e kemi shënuar për shkak të zotimit tonë si Kryeqytet, të kryetarit Rama dhe buxhetit komunal dhe falë angazhimit që e kanë bërë drejtorët, menaxherët e shkollave dhe mësueset në çdo klasë” – ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Drejtoresha Lushaku-Sadriu ka njoftuar se më 02.09.2024 mësimi tërëditor fillon fillimisht në dy shkollat “Shkolla e Gjelbër” dhe shkolla “Model-Qamil Batalli”, ndërsa më 30.09.2024 mësimi tërëditor fillon në shkollat e tjera, shkollën “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri” në Prishtinë.
Kur u pyet nga KALLXO.com se pse nuk ka filluar më 02.09.2024 mësimi tërëditor në pesë shkollat e planifikuara, Lushaku-Sadriu tha se është filluar me shkollat që kanë qenë më gati në kushte.
“Organizimi në pesë shkollat ka qenë në dy faza i ndarë, është filluar me shkollat të cilat kanë qenë më gati në kushte, jemi duke investuar krejt në finale edhe në tri shkollat e tjera, brenda shtatorit fillojmë në pesë shkollat” – ka thënë ajo.
Për shkak të mësimit tërëditor, ashtu siç ka njoftuar më 15.08.2024 drejtoresha Lushaku-Sadriu, klasat 6 – 9 të shkollave “Xhemail Mustafa” e “Faik Konica” do të zhvendosen në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Kurse, klasat 6 – 9 të shkollave “Shkolla e Gjelbër” e “Nazim Gafurri” do të zhvendosen në gjimnazin “Eqrem Qabej” në Prishtinë.
Dhe klasat 6 – 9 të shkollës “Qamil Batalli” do të zhvendosen në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.