Shkolla “Këlmend Rizvanolli” në Gjakovë ka filluar sot mësimin

Nxënësit e shkollës fillore “Këlmend Rizvanolli” në Gjakovë kanë filluar ditën e parë të vitit shkollor 2022/23.

Kjo shkollë nga sot ka vendosur që të mos jetë pjesë e grevës dhe të vazhdojë procesin mësimor.

Prindërit janë shprehur falënderues pas vendimit për të filluar mësimin dhe kanë treguar se fëmijët kanë filluar përgatitjet që nga 1 shtatori.

“Ne si prind asnjëherë nuk e kemi të vështirë kur fëmijët janë në shkollë, por ka qenë e vështirë sepse fëmijët kërkonin me ardh në bankat e shkollës me taku mësuesen shokët, shoqet kërkonin në klasën e dytë si kanë me qenë vijimet, çfarë libra kanë me qenë, ishin shumë kureshtarë. Kishim shumë problem me fëmijët sepse kërkonin bankat e shkollës”- ka thënë Janina Bytyqi-Miftari.

Besarta Haxhidauti ka thënë se fëmija i saj ka qenë shumë i gëzuar që ka filluar mësimin sot.

“Fëmijët kur kanë kuptu që nuk kanë me fillu edhe pse nuk iu kam tregu saktësisht e kam mbajt pakë si të pezulluar informacioni që s`ka me fillu shkolla, fëmijët filluan ‘Nanë a është sot një shtatori’, ‘Nanë kur do të fillojmë’” – ka thënë ajo.

Mësuesja Indira Shehu është shprehur se vendimi ka ardhur pas takimit që pati kryeministri Kurti me Këshillin e Grevistëve.

“Pas përfundimit të dialogut mes kryeministrit dhe SBASHK-ut, për të mirë e nxënësve dhe mësimdhënësve”

Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumanova – Baçi, është njoftuar për vendimin e shkollës.

“Unë e kam marr informacionin nga drejtoresha e shkollës në orët e mbrëmjes pasi kanë mbajt mbledhje këshilli i mësimdhënësve në shkollë kanë vendos që sot ta fillojnë procesin mësimor” – ka thënë Kumanova – Baçi.

Edhe shkollat fillore “Emin Duraku” dhe “Fehmi Agani” në Gjakovë nesër do të fillojnë procesin mësimor.

Kryeministri Albin Kurti është takuar dje me Këshillin e Grevistëve, por nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht.

Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të mbahet mësimi.