Shkolla Fillore "Ismail Qemali", Prishtinë, Foto: KALLXO.com

Shkolla "Ismail Qemali" nuk i bindet SBAShK-ut për grevë

Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk e ka zbatuar vendimin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë që të mbajnë sot grevë për Ligjin për Paga.

Mësimdhënësit e kësaj shkolle sot mësimin e kanë filluar me rregull, por ka pasur mungesë të nxënësve.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com, drejtoresha e kësaj shkolle, Kimete Konjusha Dida.

Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Kimete Konjusha Dida.

“Në shkollën Ismail Qemali mësimi është duke u mbajtur sot me rregull, por fatkeqësisht prindërit kanë ra pre e SBAShK, ata po i respektojnë rregullat e tyre, ne të gjithë kemi qenë në shkollë. Shkolla jonë mendon që kjo grevë është politike dhe nuk është greva kur duhet mu mbajt greva”, tha Dida për KALLXO.com duke shtuar se me pak fëmijë kanë mbajtur mësimin.

Mësimdhënësja Hatixhe Loxha gjithashtu theksoi se mësimi do të mbahet edhe në mungesë të nxënësve.

“Procesi mësimor ka filluar me orar të rregullt dhe grevën nuk do ta mbajmë sot, në do të vazhdojmë të mbajmë mësimin sic e kemi me orar. Edhe në mungesë të shumë nxënësve ne do ta vazhdojmë mësimin”, tha ajo për KALLXO.com.

Dje, SBAShK ka njoftuar se sot mësimdhënësit do të mbajnë grevë dy orëshe pasi që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionit të Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

SBAShK-u para se të miratohej ky ligj kishte mbajtur grevë tri javëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre. Orët e humbura të kësaj greve nuk u zëvendësuan plotësisht pavarësisht se MAShT-i kishte marrë vendim që ato të kompensohen.

13/12/2019 Teksti është edituar në emrin e burimit të cituar drejtoreshës së shkollës