Ilustrim

Shkolla "Dardania" në Prishtinë fiton projektin e BE-së në vlerë 2 milionë euro

Shkolla fillore ‘Dardania’ në Prishtinë ka njoftuar se është shpallur fituese e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 2 milionë eurove.

Projekti “IPA 2018’ përfshin renovim të tërësishëm të ambientit të kësaj shkolle.

Shkolla ka njoftuar se me këtë projekt do të riparohet dyshemeja (në gjithë ambientin), korridoret, dyert dhe dritaret (brenda dhe jashtë), fasada e brendshme dhe e jashtme, çatia, tualetet, shkallët emergjente dhe shkallët lëvizëse, nyjet sanitare, kanalizimi (brenda dhe jashtë), ngrohja, salla e edukatës fizike në tërësi (përfshirë dhe ventilimin), energjia elektrike dhe qasja në internet, kamerat e sigurisë, sistemi kundër zjarrit dhe oborri i shkollës.

“Për këto riparime të cilat do të jenë sipas standardeve europiane, e që shkolla jonë do të bëhet “Shkollë europiane”, falënderojmë MASHT-in dhe DKA-në, drejtoreshën e arsimit znj. Besianë Musmurati për mbështetjen e çdohershme që tregojnë për të mirën e arsimit”- thuhet në njoftim.