Shkolla “Ali Sokoli” shënon 62 vjetorin e themelimit

Të mbledhur në sallën e sportit nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë kanë festuar 62-vjetorin e themelimit.

Nën tinguj e muzikës, valleve, dramave, recitimeve dhe eksperimenteve të përgatitura nga të rinjtë është prezantuar program para mësimdhënësve, prindërve dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Rrezon Hasimi, nxënës i klasës së 12-të në drejtimin “Fizioterapi”, cili është në grupin e Ekologjisë ka përgatitur një projekt të cilin e ka ekspozuar brenda objektit të shkollës.

“Për ditën e shkollës ne jemi marrë me klubin e ekologjisë, ne e kemi bërë një projekt përmes të cilit kemi treguar ndotjen e ambientit dhe çka ndodh kur nuk kemi ndotje”, ka thënë Hasimi.

Ndërsa, Lumkestra Gashi, po ashtu maturante në drejtimin “Infermieri e Përgjithshme”, në festën e shkollës ka përformuar me këngën “E kujtoj atë takim” të këngëtares Nexhmije Pagarusha.

“Unë kamë pasur eksperiencë me performu para publikut, kësaj here nuk ishte e vështirë, por ishte emocionuese, por kemi pas mbështetje nga profesorët”, ka thënë Gashi.

Të gjitha këto përgatitje kanë filluar dy muaj më parë, për të cilat shumë nxënës të kësaj shkolle kanë shprehur interesim.

Mësimdhënësi Besnik Shabiu, i cili ka bërë organizmin e festës ka thënë se kjo ka ndikuar mirë tek nxënësit për shkak se organizimet e tilla kanë qen të pakta deri tani në këtë shkollë.

“Interesimi i nxënësve për këtë program ka qenë shumë i madh, kemi pasur shumë pika brenda programit për të cilat na është dashtë me i largu pastaj”, ka thënë Shabiu.

Për nxënësit e dalluar dhe bashkëpunëtorët e shkollës së mjekësisë janë ndarë mirënjohje.

Drejtori i shkollës “Ali Sokoli”, Flamur Bujupi ka thënë “Kjo është një nismë e mirë për me i shpalos anët tjera përveç të mjekësisë që kanë këta nxënës”.

“Kur e pamë interesimin e nxënësve, kemi formuar një Këshill Organizativ, i cili me vullnetin e tyre është marrë me organizimin”, ka thënë Bujupi.

Në këtë shkollë janë gjithsej shtatë klasë të 12-ta për të cilat sot janë mbjellur shtatë drunj.

“Programi shkon e vje, por diçka që më ka pëlqy është ‘Pema e Gjeneratës’ që kanë me u mbjellë shtatë pemë, sepse jemi shtatë klasë të 12-ta”, ka thënë nxënësi Hasimi.

Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Ali Sokoli” ka 625 nxënës, të cilët këtë vit kanë publikuar edhe revistën e parë “Eleksiri i Jetës”.