Foto: Ilustrim

Shkodër, sulm me armë zjarri kundër Policisë, plagoset një polic dhe prindi i tij

Një sulm me armë zjarri kundër një veture të policisë shqiptare ka ndodhur sot rreth orës 12:30.

Rasti ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Koplik.

Sipas Policisë së Shtetit, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë Bashkiake Malësia e Madhe, ku udhëtonin shtetasit M.H. 37-vjeç, V.H. 28-vjeçe dhe Xh.H. 70-vjeç, banues në Malësinë e Madhe.

Si pasojë janë plagosur shtetasit M.H., me detyrë shef i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh.H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim  kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore  dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.

Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit  për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indentifikimit të autorit.