Shkodër, studentët e turizmit përfundojnë praktikën 1-vjeçare në Amerikë

Çezarina, Fatlumi dhe Roberta janë tre nga pesë studentët e Universitetit të Shkodrës, dega turizëm, të cilët sapo janë kthyer nga një praktikë një vjeçare në sektorin e turizmit në SHBA. Përmes programit J-1, të departamentit amerikan të shtetit, studentët zhvilluan praktikën njëvjeçare në resortin Old Edwards INN and Spa, në Karolinën e Veriut. Këtu, thotë studentja Çezarina Curri, çdo vit, zhvillojnë praktikën edhe shumë studentë dhe të rinj të tjerë nga disa vende të botës.

“Eksperienca ka qenë shumë e mirë, shumë e pasur. Kemi mësuar që nga bazat, fillimet, se si duhet të jetë një restorant, si duhet të organizohet dhe shërbehet në një restorant. Faktikisht, të gjithë kemi ardhur shumë të kënaqur, shumë të pasur me përvojë dhe gati për të pru këtë eksperiencë dhe për të investu në vendin tonë”.

Studentja Roberta Preknicaj thotë se shkuarja në SHBA i ka dhënë mundësinë të zbatojë në praktikë ato çfarë ka mësuar gjatë viteve të studimit në fakultetin e turizmit, duke përfituar nga tradita dhe përvoja e pasur amerikane në fushën e turizmit.

“Kam qenë pjesë e hotelerisë, kam qenë një recepsioniste. Hoteli ku unë kam punu quhej Old Edwards INN and Spa, me 88 dhoma të përbame dhe, mund të them se kam përfitu një eksperiencë shumë të bukur”, thotë ajo.

Në resortin ku studentët shqiptarë përfunduan praktikën njëvjeçare ka edhe studentë të tjerë nga vende të ndryshme të botës dhe kjo, thotë studenti Fatlum Daija, përveç përvojës në fushën e menaxhimit, u dha atyre edhe një përvojë të re në fushën e komunikimit.

“Kishim nga Meksika, nga Kenia, Australia, Anglia, nga shumë vende të botës. Dhe, ajo që unë vlerësoj më shumë nga kjo eksperiencë është se ne ishim të aftë të mernim jo vetëm eksperiencën në fushën e turizmit në Amerikë, por ishim të aftë të mernim eksperiencat me njeri-tjetrin, me punëtorët që ishin aty. Dhe, nuk mësuam vetëm për kulturën amerikane, por edhe për atë europiane”, thotë ai.

Gjatë vitit të praktikës në Amerikë, studentët shqiptarë shërbyen në sektorë të ndryshëm si në recepsion, restorant, hoteleri, etj. Studentët thonë se përvoja e krijuar në Amerikë ka qenë mjaft e pasur dhe e vlefshme për profesionin e tyre të ardhshëm në fushën e turizmit.

Turizmi po njeh zhvillime të shpejta vitet e fundit në Shqipëri, duke u shndërruar në një nga sektorët parësor të ekonomisë së vendit. Ndaj, Fatlumi dhe Çezarina thonë se, është e nevojshme që të përfitohet nga përvoja ndërkombëtare në këtë sektor.

“Realisht Shqipëria ka nevojë për ndryshim në fushën e turizmit duke filluar nga klientela, nga mjediset e hotelerive, nga punëtorët që janë aty dhe, normalisht, nga mënyra e menaxhimit”.

“Problematika qëndron në organizimin si tek restorantet, ashtu edhe tek hotelet. Duhet të bahet më tepër investim tek stafi, më tepër trajnime, të rekrutohen studentë të rinj, të trajnohen gjeneratat e reja”.

Autoritetet shqiptare thonë se, këtë vit sektori i turizmit njohu një zhvillim të ri në krahasim me vitet e mëparshme. Sipas Institutit të Statistikave, vetëm gjatë muajit korrik numri i shtetasve të huaj, që kanë hyrë në territorin shqiptar, është rreth 1.403.400 persona, ose 21,1 % më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjithashtu ka edhe një shtim të kapaciteteve hoteliere përgjatë vijës bregdetare. Por, këtë sezon veror, sektori i turizmit shqiptar evidentoi edhe mungesa në stafet, profesionistët dhe punëtorët e kualifikuar në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit./VOA