SHKK jep detaje për rastin që dyshohet se një burrë dhunoi një tjetër

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka reaguar lidhur me rastin ku dyshohet se një burrë u dhunua nga një tjetër burrë në Istog.

Përmes një njoftimi SHKK ka bërë të ditur se më 21 nëntor rreth orës 12:15 një i burgosur është ankuar te mjeku kujdestar se është dhunuar nga një i burgosur tjetër para më shumë se një muaji.

Sipas SHKK, mjeku kujdestar ka bërë ekzaminimet përkatëse dhe nuk ka vërejtur shenja të dhunës seksuale.

Mirëpo SHKK ka thënë se bazuar në Praktikat Standarde të Veprimit të Departamentit për Shëndetësinë në Burgje (DSHB) për këto raste, është kërkuar dhe është duke vazhduar trajtimi psikologjik dhe psikiatrik i tij.

“SHKK menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës të cilët janë duke u marrë me rastin. SHKK bazuar në rregullat e brendshme ka ofruar të gjitha mundësit Policisë së Kosovës që të hetojë rastin, ndërsa sipas rregullave të brendshme janë marrë masat adekuate për rastin deri në përfundim të procedurës hetimore”- thuhet në njoftimin e SHKK.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar për këtë ngjarje.

Lidhur me këtë, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës ka bërë të ditur për KALLXO.com se për këtë rast janë lëshuar urdhëresa nga prokurorja e krimeve të rënda që kjo çështje të hetohet dhe të merren veprime konkrete që do ta ndriçojnë këtë çështje.

“Është njoftuar prokurorja e krimeve të rënda me ç‘rast e njëjta ka lëshuar urdhëresa të shumta të merren të gjitha veprimet e mundshme hetimore që kjo çështje penale të ndriçohet”- tha Nikçi për KALLXO.com.