Shkencëtari amerikan Yaneer Bar-Yam: Kosova, storie suksesi në menaxhimin ndaj COVID-19

Shkencëtari nga ShBA-ja Yaneer Bar-Yam, i cili studion edhe pandemitë, ka lavdëruar institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës me coronavirusin.

Fizikanti Bar-Yam ka theksuar se Kosova është një storie sukses në luftën kundër COVID-19, duke shënuar shkallën më të ulët të vdekjeve nga virusi, për kokë banori.

“Falë veprimeve të shpejta dhe vendimtare duke i ndjekur këshillat e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë edhe tonat, shkalla e vdekjeve për kokë banori nga COVID-19 në Kosovë është 20 herë më e ulët se në Suedi. Përkundër mungesës së resurseve dhe një sistemi të dobët të shëndetësisë, një nga shtetet më të varfëra të Evropës është bërë një storie suksesi”, ka shkruar ai në Twitter.

Studiuesi amerikan ka shtuar se megjithatë, edhe në Kosovë, njerëzit duhet të vazhdojnë respektimin e masave kufizuese shëndetësore të dala nga qeveria.

“Kufizimet duhet të hiqen vetëm gradualisht në mënyrë që të shmangen një rritje e shpejtë e infeksioneve, e cila mund të jetë më e keqe se e para. Duke u kujdesur maksimalisht në këtë kohë kritike fitohet gara”, thuhet në publikimin e tij.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 860 të prekur me coronavirus, janë shëruar 533 dhe kanë vdekur 27 persona.

Ndërkohë, masat lehtësuese të lëvizjes së qytetarëve kanë nisur nga 4 maji.